Formimi i institucioneve mbetet i hapur, Kurti e Abdixhiku pa marrëveshje
Përpjekjet për të zhbllokuar procesin e krijimit të institucioneve të reja nuk kanë prodhuar ende rezultat konkret. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilluan mbrëmë një takim që zgjati rreth tri orë, por pa arritur një marrëveshje politike, transmeton lajmi.net. Në përfundim të takimit, Kurti, i…
Lajme
Përpjekjet për të zhbllokuar procesin e krijimit të institucioneve të reja nuk kanë prodhuar ende rezultat konkret.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilluan mbrëmë një takim që zgjati rreth tri orë, por pa arritur një marrëveshje politike, transmeton lajmi.net.
Në përfundim të takimit, Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, tha se diskutimet kanë qenë të fokusuara në alternativa të ndryshme, por se ende mungon pajtimi mes palëve.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Diskutuam për qasje dhe mundësi të ndryshme, por na duhet një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor dhe e shndërron atë në stabilitet institucional. Askush nuk i dëshiron zgjedhjet e reja, por nëse nuk ka përparim, ato mund të bëhen të pashmangshme”, deklaroi Kurti.
Ai përsëriti se Vetëvendosje vazhdon ta konsiderojë LDK-në partner të mundshëm për bashkëpunim. Sipas tij, posti i presidentit duhet t’i besohet një personaliteti jopartiak dhe konsensual, që përfaqëson shtetin dhe jo një subjekt politik.
Kurti bëri të ditur se mbetet i hapur edhe për takime me drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, edhe pse, siç tha ai, deri më tani ka pasur refuzime.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e përshkroi takimin si konstruktiv, duke njoftuar se komunikimi ndërmjet dy subjekteve do të vazhdojë në ditët e ardhshme.
Sipas Abdixhikut, zgjidhja politike duhet të përfshijë një marrëveshje të plotë për drejtimin e institucioneve kryesore të vendit, përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.
“LDK-ja nuk ka interes për postin e kryetarit të Kuvendit, pasi e konsiderojmë një pozitë ceremoniale që duhet t’i takojë propozimit të partisë së parë. Për çështjet e tjera kemi ende kohë dhe sa më shpejt të arrihet një marrëveshje, aq më mirë”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim dhe vazhdon të kërkojë një marrëveshje që siguron balancë demokratike dhe funksionim të qëndrueshëm institucional.
Në ndërkohë, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot, më 6 gusht, në seancën e radhës konstituive./lajmi.net/