Dy banka ndryshojnë çmimoret, qytetarët përballen me tarifa të reja për shërbimet bankare

Dy banka komerciale në Kosovë, BKT dhe ProCredit Bank, kanë njoftuar klientët për ndryshime në çmimoret e produkteve dhe shërbimeve të tyre. Çmimorja e re e BKT-së hyn në fuqi më 1 shtator, ndërsa ajo e ProCredit Bank më 1 tetor. Ndryshimet vijnë në një kohë kur bankat në Kosovë vazhdojnë të raportojnë fitime të larta,…

Lajme

03/08/2026 14:01

Dy banka komerciale në Kosovë, BKT dhe ProCredit Bank, kanë njoftuar klientët për ndryshime në çmimoret e produkteve dhe shërbimeve të tyre. Çmimorja e re e BKT-së hyn në fuqi më 1 shtator, ndërsa ajo e ProCredit Bank më 1 tetor.

Ndryshimet vijnë në një kohë kur bankat në Kosovë vazhdojnë të raportojnë fitime të larta, ndërsa për qytetarët shërbimet bankare nuk po bëhen më të lira. Përkundrazi, në disa raste po shtohen tarifa të reja ose po krijohen produkte të reja me çmime më të larta.

Një prej ndryshimeve më të prekshme te BKT lidhet me tërheqjen e parave në bankomatet e vetë bankës.

Me çmimoren e re, tërheqja në bankomatet e BKT-së që ndodhen brenda objekteve të bankës kushton 20 centë për transaksion, ndërsa në bankomatet jashtë objekteve tarifa është 25 centë. Pensionistët dhe klientët e pakos bazike përjashtohen nga kjo tarifë.

BKT vazhdon të aplikojë edhe tarifa të tjera për shërbimet bazike. Llogaria rrjedhëse për pagamarrës kushton 1.50 euro në muaj, ndërsa llogaria standarde 2 euro. Mirëmbajtja e e-Banking dhe m-Banking kushton 50 centë në muaj.

Për tërheqjen e parave në bankomatet e bankave të tjera brenda Kosovës aplikohet komision prej 2 për qind, me minimum 3 euro për transaksion. E njëjta tarifë aplikohet edhe për tërheqjet në bankomatet jashtë vendit.