KEK: Nuk ka ndërprerje të paplanifikuara – A3 është rikthyer në operim, modernizimi i B1 po zhvillohet sipas planit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara në media lidhur me gjendjen e kapaciteteve prodhuese, duke theksuar se aktualisht po operon në përputhje të plotë me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE) 2026. Sipas KEK-ut, në funksion janë njësitë A3 dhe A4 të Termocentralit Kosova A, si dhe njësia B2 e…

Lajme

02/08/2026 23:14

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara në media lidhur me gjendjen e kapaciteteve prodhuese, duke theksuar se aktualisht po operon në përputhje të plotë me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE) 2026.

Sipas KEK-ut, në funksion janë njësitë A3 dhe A4 të Termocentralit Kosova A, si dhe njësia B2 e Termocentralit Kosova B.

Në reagim bëhet e ditur se njësia A3 ishte ndalur përkohësisht për shkak të rrjedhjeve të identifikuara në kaldajë, me qëllim realizimin e sanimeve teknike.

“Pas përfundimit me sukses të punimeve, njësia A3 është rikthyer sot në operim dhe aktualisht operon në gjendje stabile”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Ndërkohë, KEK sqaron se njësia A5 ndodhet në revizion të planifikuar, në përputhje me BVEE 2026, për periudhën 1–10 gusht 2026.

Sa i përket njësisë B1, korporata ka theksuar se nuk bëhet fjalë për një dalje të papritur nga prodhimi, por për një projekt të madh modernizimi që është bërë publik prej muajsh.

“Është vërtet e pakuptimtë që ajo të paraqitet në opinion vetëm si ‘jashtë prodhimit’, kur KEK-u, për muaj me radhë dhe në dhjetëra njoftime publike, ka informuar vazhdimisht se kjo njësi, që nga muaji prill, i është nënshtruar projektit më të madh të modernizimit në historinë e saj”, thuhet në reagim.

Sipas KEK-ut, projekti përfshin rehabilitimin e njësisë, ndërtimin e elektrofiltrave të rinj dhe instalimin e sistemit DeNOx, ndërsa përfundimi i punimeve është planifikuar për gjysmën e parë të muajit dhjetor 2026.

Korporata vlerëson se paraqitja e investimeve strategjike si mungesë e papritur e prodhimit krijon perceptim të gabuar te opinioni publik.

“Është e papranueshme që investimet strategjike qindra milionëshe për modernizimin e njësive prodhuese të paraqiten si mungesë e papritur e prodhimit, pa u ofruar qytetarëve konteksti i plotë”, thekson KEK.

Sipas planit dinamik të operimit për vitin 2026, të publikuar nga KEK (si në dokumentin e bashkëngjitur), njësia B1 ndodhet në remont të planifikuar nga 8 prilli deri më 9 dhjetor 2026, ndërsa A5 në revizion nga 1 deri më 10 gusht, në përputhje me kalendarin e mirëmbajtjes së njësive prodhuese. /Lajmi.net.

Postimi i plotë: