Rritja e çmimeve shqetësimi kryesor i kosovarëve, dialogu me Serbinë bie kah fundi i listës
Rritja e çmimeve të mallrave produkteve del të jetë shqetësimi më i madh që kanë qytetarët e Kosovës për vitin e ardhshëm, sipas një ankete të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI). Të dhënat e hulumtimit që ka bërë ky institut, në periudhën 15 prill – 5 maj 2026, me 1,200 respodentë, thonë se 56.6 për qind…
Lajme
Rritja e çmimeve të mallrave produkteve del të jetë shqetësimi më i madh që kanë qytetarët e Kosovës për vitin e ardhshëm, sipas një ankete të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI).
Të dhënat e hulumtimit që ka bërë ky institut, në periudhën 15 prill – 5 maj 2026, me 1,200 respodentë, thonë se 56.6 për qind e të anketuarve e kanë renditur rritjen e çmimeve si një nga dy problemet më të mëdha me të cilat pritet të përballet vendi më 2027.
Shqetësimi i dytë më i përhapur lidhet me çmimin dhe furnizimin me energji elektrike, të cilin e kanë përzgjedhur 43.8 për qind e qytetarëve.
Papunësia renditet e treta me 40.2 për qind.
Më pas vijnë korrupsioni me 18.1 për qind, siguria publike, duke përfshirë vjedhjet, dhunën me armë dhe sigurinë në trafik, me 14.7 për qind si dhe dialogu me Serbinë, të cilin si një nga dy sfidat kryesore për 2027-n e kanë përmendur vetëm 11.2 për qind e të anketuarve.
Në fund të listës renditen tensionet ndëretnike, të cilat janë përzgjedhur nga 7.8 për qind e qytetarëve.
Sipas këtyre rezultateve del se çështjet ekonomike dominojnë dukshëm shqetësimet e qytetarëve të Kosovës, ndërsa temat politike dhe ato që lidhen me raportet ndëretnike zënë një vend më të ulët në prioritetet e tyre.
Instituti Demokratik Kombëtar (National Democratic Institute – NDI) është një organizatë amerikane jofitimprurëse, e themeluar në vitin 1983 si një nga katër njësitë kryesore të National Endowment for Democracy (NED), organizatë e krijuar nga Kongresi i SHBA-së për të mbështetur zhvillimin e institucioneve demokratike në mbarë botën. NDI punon me partitë politike, parlamentet, shoqërinë civile dhe institucionet publike për të promovuar qeverisjen demokratike, zgjedhjet e lira dhe pjesëmarrjen qytetare.
Në Kosovë, NDI realizon rregullisht anketa të opinionit publik për të matur qëndrimet e qytetarëve lidhur me zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe për të identifikuar sfidat dhe prioritetet kryesore të vendit.
