Guri e quan punë të jashtëzakonshme të Abdixhikut mbetjen në vendin e tretë në tri palë zgjedhje: E rriti mbështetjen për LDK-në

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka deklaruar se arsyeja pse Lumir Abdixhiku arriti të rikonfirmohej në krye të partisë është besimi që delegatët dhe elektorati i LDK-së kanë ndaj punës së tij gjatë pesë viteve të fundit. I ftuar në emisionin KosovaLive në T7, Guri tha se delegatët e…

Lajme

31/07/2026 12:58

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka deklaruar se arsyeja pse Lumir Abdixhiku arriti të rikonfirmohej në krye të partisë është besimi që delegatët dhe elektorati i LDK-së kanë ndaj punës së tij gjatë pesë viteve të fundit.

I ftuar në emisionin KosovaLive në T7, Guri tha se delegatët e Kuvendit të LDK-së e njohin nga afër punën e Abdixhikut, ndryshe nga, siç u shpreh ai, disa persona që e komentonin situatën nga studiot televizive pa qenë pjesë e partisë.

“Arsyeja pse ka fituar është se këta delegatë, që janë pjesë e Kuvendit të LDK-së, e dinë se kryetari Lumir Abdixhiku ka bërë një punë të jashtëzakonshme me partinë. Ai e mori partinë me 12 për qind, në koalicion me AKR-në. Brenda një periudhe shumë të shkurtër i stabilizoi organet e saj, e reformoi partinë dhe e rriti mbështetjen për të”, deklaroi Guri.

Sipas tij, Abdixhiku ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe e ka bërë LDK-në më gjithëpërfshirëse.

“Ai i ka hapur dyert për të gjithë. Madje, edhe disa nga ata që e kanë kritikuar gjatë këtyre ditëve janë prurje të Abdixhikut. Ishte ai që ua hapi dyert atyre. Të gjithë e njohin punën që ai ka bërë gjatë këtyre pesë viteve”, tha Guri.