Meliza Haradinaj kundërshton hapjen e Konsullatës serbe në Shkodër: Është projekt politik serbomadh, jo reciprocitet

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve për një marrëveshje në parim mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka cilësuar hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër si një “projekt politik serbomadh”, duke vlerësuar…

Lajme

30/07/2026 16:23

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve për një marrëveshje në parim mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka cilësuar hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër si një “projekt politik serbomadh”, duke vlerësuar se një veprim i tillë nuk mbështetet në nevoja reale konsullore dhe nuk i shërben interesit kombëtar shqiptar, shkruan lajmi.net.

Sipas saj, vendosja e një konsullate serbe në Shkodër nuk mund të konsiderohet si reciprocitet me kërkesën për hapjen e një konsullate shqiptare në Bujanoc, ku jeton një komunitet i madh shqiptar.

“Konsullata serbe në Shkodër është një projekt politik serbomadh, që nuk mbështetet në asnjë nevojë reale konsullore. Nuk justifikohet nga pesha demografike e komunitetit serb, nga historia apo nga interesi kombëtar shqiptar”, ka shkruar Haradinaj.

Ajo ka theksuar se, sipas saj, Serbia nuk mund të kërkojë privilegje të reja diplomatike në hapësirën shqiptare, derisa vazhdon të mos e njohë Kosovën, të kundërshtojë njohjet ndërkombëtare të saj, të mohojë krimet e luftës dhe të mos zbulojë të gjitha varrezat masive.

Haradinaj ka bërë thirrje që Shqipëria të mbrojë interesin kombëtar shqiptar dhe të mos ndërmarrë hapa që, sipas saj, legjitimojnë strategjinë politike të Beogradit.

Në fund të reagimit, ajo ka përmendur edhe zbulimin e fundit të mbetjeve mortore në Kalludër të Zubin Potokut, duke pyetur nëse autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë zhvillim, ndërsa Serbia ende nuk është përballur me përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. /Lajmi.net/