Profesori amerikan: Kosova rrezikon të mbetet jashtë loje, izolimi diplomatik nuk është në interesin e saj
Qasja e njëanshme në shumë raste, gjatë qeverisjes gashtë vjeçare, i ka sjellë poenë politik Albin Kurtit brenda Kosovës, por i ka dëmtuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas shumë përplasjesh, që në një rast kishin shkuar deri në nivel ofendimesh drejt ish-Sekretarit demokrat Antony Blinken, në shtator të vitit 2025,…
Lajme
Qasja e njëanshme në shumë raste, gjatë qeverisjes gashtë vjeçare, i ka sjellë poenë politik Albin Kurtit brenda Kosovës, por i ka dëmtuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas shumë përplasjesh, që në një rast kishin shkuar deri në nivel ofendimesh drejt ish-Sekretarit demokrat Antony Blinken, në shtator të vitit 2025, SHBA këtë herë më Administratë republikane, kishte njoftuar zyrtarisht që për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti do të suspendohet Dialogu i Planifikuar Strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës.
Ndërkohë që ky raport i Kosovës më aleatin e saj është lënduar, Beogradi zyrtar në mënyrë aktive ka qenë i angazhuar për të përmirësuar raportin me Washingtonin. Këto përpjekje të diplomacisë serbe kanë kulmuar me nisjen e Dialogut Strategjik me SHBA-në dhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve, derisa Kosovës i është konfirmuar se në një proces të ngjashëm me SHBA’në mund të futet vetëm kur të ketë zbatuar obligimet ndaj komunitetit serb.
Profesori amerikan, Charles Kupchan, i cili ka punuar në Administratën e Bill Clinton dhe Barack Obamas, në një intervistë ka thënë se Kosova duhet të jetë e shqetësuar për këto zhvillime meqë rrezikon që të mbetet jashtë loje.
Kupchan për Express tha se Kurti gjerësisht në SHBA dhe BE perceptohet si një politikan që ka penguar normalizimin me Serbinë dhe sipas profesorit amerikan, izolimi diplomatik s’është në interesin e Prishtinës zyrtare.
“Po. Kosova rrezikon të lihet jashtë loje. Dialogu strategjik i Prishtinës me Shtetet e Bashkuara është pezulluar. Kosova ka përjetuar një periudhë të zgjatur paqëndrueshmërie politike. Kurti perceptohet gjerësisht në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë si një udhëheqës që ka penguar perspektivat për dialog konstruktiv dhe normalizim përfundimtar me Serbinë. Izolimi diplomatik nuk është në interes të Kosovës”, ka thënë ai .
Sipas bashkëpunëtorit të lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë (CFR) dhe profesorit të çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown, Kosova duhet të futet në lojë, duke potencuar se është në interesin afatgjatë të Kosovës si një vend I vogël që të ketë përkrahjen e BE-së.
“Kosova është një vend i vogël që ka nevojë për mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, ndërsa kërkon prosperitet, stabilitet politik, paqe rajonale dhe integrim në institucionet euroatlantike. Është në interesin afatgjatë të vendit të ketë lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në dhe të luajë një rol konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Kupchan.
Profesori amerikan, Kupchan, duke folur për Dialogun Strategjik SHBA-Serbi, thotë ky proces shënon një përparim të rëndësishëm në raportin mes dy shteteve. Ai e sheh këtë si një përpjekje të Amerikës për ta tërhequr Serbinë drejt Perëndimit në kurriz të raporteve që Beogradi ka me Moskën.
“Dialogu synon gjithashtu të përparojë sigurinë energjetike të Evropës dhe të zvogëlojë varësinë energjetike nga Rusia duke ndërtuar një korridor gazi veri-jug që kalon nëpër Serbi. Në axhendë janë mineralet kritike; Serbia ka rezerva të mëdha litiumi. Lidhjet e mbrojtjes dhe modernizimi ushtarak janë gjithashtu pjesë e dialogut”, shprehet Kupchan.
Ai thotë se Serbia do të luaj lojën e saj me të gjitha palët dhe se është në gjendje që të mirëmbajë edhe raportin me Rusinë e Kinën, ndërkohë që avancon drejt Perëndimit.
“Serbia është mjaft e mirë në të gjitha anët e lojës. Dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara shënon një kthesë drejt perëndimit, por Beogradi pa dyshim do të ruajë lidhjet e tij të forta me Rusinë dhe Kinën. Serbia përpiqet të luajë një rol më të madh sesa pesha e saj reale, duke e ndjekur këtë strategji: një ditë anon nga Perëndimi, e ditën tjetër nga Lindja”, ka përfunduar Kupchan.