Sveçla nga Zubin Potoku: Serbia nuk po bashkëpunon për të zbuluar fatin e të pagjeturve, por nuk do të ndalemi deri ta gjejmë trupin e fundit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar fshatin Kalludër e Vogël në Zubin Potok, ku po vazhdojnë gërmimet pas gjetjes së mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave të zhdukur gjatë luftës. Në prononcim për media, Sveçla tha se zbulimi i kësaj varreze masive është rezultat i punës intensive të institucioneve…

Lajme

28/07/2026 20:13

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar fshatin Kalludër e Vogël në Zubin Potok, ku po vazhdojnë gërmimet pas gjetjes së mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave të zhdukur gjatë luftës.

Në prononcim për media, Sveçla tha se zbulimi i kësaj varreze masive është rezultat i punës intensive të institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimit me qytetarët.

“Pas një pune intensive të institucioneve të sigurisë, por edhe bashkëpunimit me qytetarët, kemi zbuluar një varrezë masive me mbetje të qytetarëve tanë. Puna intensive po vazhdon në disa drejtime, si në aspektin e gërmimeve ashtu edhe në atë hetimor, për t’i zbuluar të gjithë ata që janë fajtorë dhe përgjegjës. Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit të personit të zhdukur”, deklaroi Sveçla.

Ai theksoi se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe për vënien para drejtësisë të të gjithë përgjegjësve për këto krime.

“Nuk do të jemi të qetë e të knaqur deri në zbulimin e të gjeturit të fundit, shteti i Serbisë ai qe ka qenë atëherë është i njejti, ata jo vetëm se nuk po bashkëpunojnë për të zbuluar fatin e të pagjeturve, ata pengojnë dhe zabotojnë punën e institucioneve të Kosovës”, deklaroi ndër tjerash Sveçla.