Kurti pret Sorensenin: Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, por në përputhje me Kushtetutën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin ka diskutuar për ecurinë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u trajtuan zhvillimet në raport me…

Lajme

24/07/2026 18:43

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin ka diskutuar për ecurinë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u trajtuan zhvillimet në raport me Bashkimin Evropian, situata në Ballkanin Perëndimor, si dhe çështjet që lidhen me dialogun dhe hapat e ardhshëm në këtë proces, raporton lajmi.net

Kurti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një qasjeje konstruktive në dialog, duke synuar paqe të qëndrueshme, siguri euroatlantike, stabilitet afatgjatë dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.

Komunikatë e plotë:

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen.

Në takim u diskutuan zhvillimet në raport me Bashkimin Evropian, situata në rajonin e Ballkanit perëndimor si dhe çështjet e dialogut: momenti aktual në këtë proces e pikëpamjet rreth rrugës përpara.

Në këtë kontekst, Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës, i përmbahet angazhimit konstruktiv, ajo punon dhe synon paqe të qëndrueshme, siguri euro-atlantike, stabilitet afatgjatë e fqinjësi të mirë evropiane.

Duke iu përgjigjur të dërguarit Sorensen lidhur me çështjen e ngritur prej tij për kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të dorëhequr, Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës afirmon dhe insiston në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, barazi të qytetarëve e përfshirje të të gjitha komuniteteve. Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë.

Në takim u adresuan edhe tema të tjera aktuale nga procesi i dialogut, duke potencuar rëndësinë e respektimit dhe mosshkeljes së Marrëveshjes Bazike të Brukselit e të Aneksit të Zbatimit të Ohrit./Lajmi.net/