Haxhiu: Gjyqtarët serbë u paguan nga Serbia, merrnin pjesë në takime ku diskutohej bllokimi rrugëve – pranojeni dorëheqjen e tyre
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thirrur konferencë për media. Me këtë rast Haxhiu është deklaruar edhe në lidhje me çështjen e kërkesës së gjyqtarëve serbe për dorëheqje dhe pritjes që Këshilli Gjyqësorë i Kosovës të marrë vendim sot mbi këtë çështje. “Më lejoni që të ndaj me ju disa informacione të rëndësishme…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thirrur konferencë për media.
Me këtë rast Haxhiu është deklaruar edhe në lidhje me çështjen e kërkesës së gjyqtarëve serbe për dorëheqje dhe pritjes që Këshilli Gjyqësorë i Kosovës të marrë vendim sot mbi këtë çështje.
“Më lejoni që të ndaj me ju disa informacione të rëndësishme për të cilat jam njoftuar së fundi dhe pikërisht kjo është arsyeja që po e adresoj edhe në këtë konferencë. Referuar të dhënave që kam në dispozicion, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë, sikurse edhe stafi mbështetës administrativ, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë financiarisht nga Serbia. Pjesa dërmuese e tyre kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë mjetet financiare në forma të ndryshme nga Serbia që nga viti 2017 e deri më tani. Pra, edhe gjatë kohës sa ata kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë në institucionet e Republikës së Kosovës, pra janë paguar nga Serbia”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se, sipas saj, lojaliteti ndaj Serbisë është shpërblyer financiarisht dhe se disa ish-gjyqtarë e ish-prokurorë kanë marrë pjesë në aktivitete që kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.
“Lojaliteti i dëshmuar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që të njëjtit të ushtrojnë mandatin e tyre ndaj të gjithë qytetarëve referuar ligjeve dhe interesave të Republikës së Kosovës. Ka shumë raste, disa prej tyre janë edhe publike, ku ish-gjyqtarët dhe prokurorët kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi, si dhe në Kosovë, ku janë diskutuar plane dhe janë ndërmarrë veprime, përfshirë edhe bllokimin e rrugëve për të kundërshtuar institucionet e Kosovës në përpjekje për zbatimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit tonë, pra në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thotë Haxhiu.
Sipas Haxhiut, ndërhyrjet nga Serbia dhe lidhjet e pretenduara të disa ish-zyrtarëve të drejtësisë kanë ndikuar në funksionimin e sistemit të drejtësisë në veri të vendit.
“Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe lojalitetit të dëshmuar, në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri dhe ka dyshime të bazuara që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instrukturuara nga qarqe të lidhura me krimin, por edhe me pushtetin në Serbi. Një pjesë e konsiderueshme e tyre ka dëshmi të kenë kryer edhe aktivitete të tjera të kundërligjshme dyshimta, duke u angazhuar me punë në shërbim të strukturave ilegale serbe që kanë operuar në Kosovë, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit tonë, duke rënë kështu ndesh me rendin juridik kushtetues të Republikës së Kosovës. Pagesat pra që shumica prej tyre kishin filluar t’i marrin që nga muaji tetor 2017 dëshmojnë se ata kanë cenuar integritetin e institucionit në të cilin kanë punuar edhe para dorëheqjes të tyre”, u shpreh ajo.
Haxhiu u ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësorë të Kosovës që t’i lirojë këta gjyqtarë serbë pasi thotë se të njëjtit kanë vendosur vetë që të japin dorëheqje.
“Ftoj Këshillin Gjyqësorë të Kosovës që të ndjekë veprimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sytë tanë sot janë tek Këshilli Gjyqësorë i Kosovës sepse nëse vepron në kundërshtim me legjislacionin në fuq i kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm dhe me një abuzim të përgjegjësive që ata i kanë. E thërrasë KGJK që të mos bie pre e ndikimi të askujt as ato vendore dhe as ato ndërkombëtare. Mua më pamundësohet të ushtrojë detyrën time që ata gjyqtarë t’i lirojë nga detyra sepse Këshilli Gjyqësorë nuk po vepron”./Lajmi.net/