Rafuna: Kosova nuk guxon të mbetet jashtë rrjetit të gazit amerikan

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se Kosova nuk duhet të mbetet jashtë rrjetit të gazit amerikan, duke theksuar se një gjë e tillë do të kishte pasoja ekonomike dhe strategjike për vendin. Sipas tij, përfshirja në këtë rrjet do të hapte mundësi për investime miliardëshe në ndërtimin e infrastrukturës së…

Lajme

22/07/2026 09:17

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se Kosova nuk duhet të mbetet jashtë rrjetit të gazit amerikan, duke theksuar se një gjë e tillë do të kishte pasoja ekonomike dhe strategjike për vendin.

Sipas tij, përfshirja në këtë rrjet do të hapte mundësi për investime miliardëshe në ndërtimin e infrastrukturës së gazit, ku bizneset kosovare do të mund të përfshiheshin si bashkëinvestitorë, nënkontraktorë apo përmes formave të tjera të bashkëpunimit.

“Nuk guxon me ndodhë, për shkak sepse ne nuk humbim vetëm në kuptimin ekonomik, por do ta humbim edhe një partner i cili e ka mbështet Kosovën qysh para pavarësisë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Serbinë janë bërë pjesë e këtij rrjeti, edhe Kosova duhet patjetër të jetë pjesë e këtij rrjeti”, thotë Rafuna.

“Kur jemi te ekonomia, janë miliarda pyetje investimesh që vijnë për infrastrukturën në gazin amerikan, që duhet të ndërtohet infrastruktura për t’u kyçur në gazin amerikan, ku bizneset kosovare do të kenë mundësi të përfitojnë, qoftë si bashkëinvestitorë, nënkontraktorë apo në forma të ndryshme. Mirëpo e rëndësishme është që ato mjete të vijnë në qarkullim në Kosovë”, shtoi ai.

Rafuna shtoi se qasja në gazin amerikan do t’i vendoste bizneset e Kosovës në pozitë të barabartë me ato të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke ofruar një alternativë më të qëndrueshme energjetike.

Ai theksoi se çmimi më i parashikueshëm i gazit, krahasuar me luhatjet e energjisë elektrike, do t’u mundësonte bizneseve planifikim më të mirë afatgjatë.

“E dyta, bizneset e Kosovës po barazohen me të gjitha bizneset e Ballkanit Perëndimor që do të kenë qasje në gazin amerikan, për shkak se gazi do të jetë një alternativë shtesë dhe biznesi zakonisht e mirëpret gazin pasi çmimi i gazit nuk ndryshon si çmimi i energjisë elektrike në baza ditore, por në ato vjetore, kjo i jep mundësi biznesit të bëjë planifikime më të mira”, tha Rafuna për GazetaBlic.