Policia apelon para stuhive dhe erërave të forta: Mbyllni ose largoni çadrat në lokale, largoni vazot, mbushni telefonat me bateri
Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka bërë apel ndaj qytetarëve për kujdes të shtuar për sot ku vendi pritet të përballet me stuhi të shoqëruar me erëra të forta dhe reshje. Në kuadër të kësaj, Policia ka zhvilluar aktivitete për shpërndarjen e fletushkave informuese në hapësira publike, qendra të qyteteve dhe…
Lajme
Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka bërë apel ndaj qytetarëve për kujdes të shtuar për sot ku vendi pritet të përballet me stuhi të shoqëruar me erëra të forta dhe reshje.
Në kuadër të kësaj, Policia ka zhvilluar aktivitete për shpërndarjen e fletushkave informuese në hapësira publike, qendra të qyteteve dhe te bizneset, duke i njoftuar qytetarët me rekomandimet kryesore të sigurisë, transmeton lajmi.net.
Policia u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të largojnë ose fiksojnë çadrat e lokaleve, karriget, tavolinat, vazot dhe çdo objekt tjetër që mund të bartet nga era, të sigurojnë mbylljen e dyerve dhe dritareve, si dhe të mbushin telefonat mobilë dhe bateritë rezervë në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Njoftimi i plotë:
Policia në Rajonin e Mitrovicës së Jugut apelon për kujdes të shtuar – ndërmerren veprime informuese pas paralajmërimeve për stuhi
Mitrovicë e Jugut, 22 korrik 2026
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, pas paralajmërimeve të institucioneve kompetente se gjatë ditës së sotme vendi pritet të përfshihet nga stuhi të shoqëruara me erëra të forta dhe reshje, ka ndërmarrë veprime konkrete për informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me masat parandaluese që duhet të zbatohen për ruajtjen e jetës dhe pronës.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, zyrtarët policorë janë angazhuar në shpërndarjen e fletushkave informuese në hapësira publike, qendra të qyteteve dhe te bizneset, duke i njoftuar qytetarët me rekomandimet kryesore të sigurisë.
Policia u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të largojnë ose fiksojnë çadrat e lokaleve, karriget, tavolinat, vazot dhe çdo objekt tjetër që mund të bartet nga era, të sigurojnë mbylljen e dyerve dhe dritareve, si dhe të mbushin telefonat mobilë dhe bateritë rezervë në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Qytetarëve që ndodhen jashtë u rekomandohet të kërkojnë strehim në objekte të sigurta dhe të shmangin qëndrimin nën pemë, pranë shtyllave elektrike ose në zona të hapura.
Ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen që, nëse kushtet atmosferike përkeqësohen, të ndalojnë në vende të sigurta, të shmangin rrugët e përmbytura dhe të mos i parkojnë automjetet nën pemë apo pranë shtyllave elektrike.
Policia, do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe apelon te të gjithë qytetarët që të respektojnë rekomandimet, në rast të ndonjë situate emergjente apo rreziku të njoftojnë menjëherë Policinë./lajmi.net/