Polici që dyshohet se u vetëvra në Kukës ishte pjesë e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, Policia e Shtetit jep detajet e fundit

Një zyrtar policor i Kosovës u raportua të jetë gjetur pa shenja jete në varrezat e Morinës në Kukës. Si fillim lajmi u bë i ditur përmes mediave në Shqipëri, derisa tani janë dhënë edhe detaje shtesë. Sipas informacioneve të para bëhet fjalë për 35 vjeçarin nga Prizreni, Shaban Hajdari , i cili shërbeu si…

Lajme

22/07/2026 11:39

Një zyrtar policor i Kosovës u raportua të jetë gjetur pa shenja jete në varrezat e Morinës në Kukës.

Si fillim lajmi u bë i ditur përmes mediave në Shqipëri, derisa tani janë dhënë edhe detaje shtesë.

Sipas informacioneve të para bëhet fjalë për 35 vjeçarin nga Prizreni, Shaban Hajdari , i cili shërbeu si pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren.

Hajdari kishte qenë shpesh herë edhe pjesë e trajnimeve të ndryshme nga Policia e Kosovës.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura as rrethanat dhe as motivi që ka çuar deri tek ky rast, transmeton lajmi.net.

Hajdari dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri.

Në lidhje me rastin , lajmi.net ka pyetur edhe Policinë e Kosovës edhe Inspektoratin Policor, por deri më tani nuk kanë dhënë përgjigje.

Po ashtu nga Policia e Shtetit deklaruan se nga veprimet e para hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka kryer vetëvrasje me armë zjarri. Arma është sekuestruar nga autoritetet si provë materiale.

“Më datë 22.07.2026, rreth orës 08:25, në varrezat e fshatit Morinë është gjetur pa shenja jete shtetasi Sh. H., 35 vjeç, banues në Prizren, punonjës policie në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren. Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka vrarë veten me armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, është thënë në njoftimin e policisë shqiptare, duke treguar se ky institucion po bashkëpunon me Policin e Kosovës për zbardhjen e rastit.

“Ndërkohë, Policia e Shtetit po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e zjarrit e sekuestruar është arma e shërbimit të 35-vjeçarit, si dhe për sigurimin e çdo informacioni që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë ligjor të rastit”, është thënë në njoftim.Lajmi.net/