Familjari i kosovarëve që vdiqën në aksidentin në kufi: U futën në rrugë pa krye, s’pati shenja paralajmëruese

Flamur Beqiri, familjar i tre kosovarëve që humbën jetën si pasojë e një aksidenti në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai tha në një lidhje direkte në Kosova Live në T7 se ata ishin zhdukur dhe vetëm pas disa kërkimeve të policisë maqedonase u gjetën…

Lajme

20/07/2026 13:28

Flamur Beqiri, familjar i tre kosovarëve që humbën jetën si pasojë e një aksidenti në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ai tha në një lidhje direkte në Kosova Live në T7 se ata ishin zhdukur dhe vetëm pas disa kërkimeve të policisë maqedonase u gjetën të vdekur në veturë.

Sipas Beqirit, Ejup Tërnava që e drejtonte automjetin, së bashku me bashkëshorten kishin shkuar për ta marrë motrën e tij në aeroportin e Shkupit.

“Të gjitha informatat që ju i keni plasuar janë të drejta, janë reale, nuk ka asnjë spekulim. Kontakti i fundit ka qenë nëpërmjet kamerave të shtetit maqedonas rreth orës 22:38, mandej i kanë humbur gjurmën. Ejupi si shofer e ka humbur rrugën, ka hyrë në një rrugë qorre dhe prej aty mandej… ajo që ka ndodhur”, tha ai.

Flamur Beqiri tha se “problemi ka qenë që nuk ka besuar askush që vetura mund të ketë shkuar asaj rruge” ku ndodhi aksidenti.

“Krejt hetimi, hulumtimi ka çuar në pista të tjera, në rajone të tjera. Askush nuk është përqendruar në atë pjesën afër aty”, tha ai.

“Krejt vonë, kah mbrëmja, Policia e Maqedonisë e ka gjetur veturën. Të trija viktimat kanë qenë në veturë”, shtoi Beqiri.

Arsyeja e aksidentit, sipas Beqirit, mut të jetë “mungesa e sinjalistikës” dhe fakti që “rruga ka qenë pa krye”.

“Në kuptimin që asnjë informatë, asnjë sinjalistikë nuk ka ekzistu në vendin e ngjarjes. Unë jam prej të parëve që kam shkuar personalisht atje mbrëmë dhe s’kam parë asnjë shenjë”, tha ai.