Arrestohen tre persona në Prishtinë, dyshohen se përvetësuan një pronë me dokumente të falsifikuara – shkaktuan dëm 1.55 milionë euro

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka ndaluar tre persona të dyshuar për veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumentit dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet M.T., L.Sh. dhe M.R., në fazën fillestare të hetimeve, dyshohet se kanë përdorur dokumente…

Lajme

17/07/2026 20:39

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka ndaluar tre persona të dyshuar për veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumentit dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet M.T., L.Sh. dhe M.R., në fazën fillestare të hetimeve, dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara të Republikës së Serbisë, përfshirë pasaportë, letërnjoftim dhe certifikata të gjendjes civile, për të krijuar identitet të rremë dhe për t’u paraqitur si pronarë të ligjshëm të një prone në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës, raporton lajmi.net

Hetimet kanë zbuluar dyshime se, përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara, ata kanë shitur një parcelë prej dy hektarësh, duke i shkaktuar të dëmtuarit një dëm material në vlerë prej 1.550.000 euro.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do t’i paraqesë Gjykatës kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore./Lajmi.net/