Rriten tensionet për Ngushticën e Hormuzit, SHBA përdori për herë të parë dronë sulmues
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit të dielën në mbrëmje, duke vazhduar përshkallëzimin e përplasjeve ushtarake mes dy vendeve që kanë zgjatur prej disa ditësh. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) ka bërë të ditur se operacioni u urdhërua nga presidenti Donald Trump me synimin për të dobësuar aftësinë…
Bota
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit të dielën në mbrëmje, duke vazhduar përshkallëzimin e përplasjeve ushtarake mes dy vendeve që kanë zgjatur prej disa ditësh.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) ka bërë të ditur se operacioni u urdhërua nga presidenti Donald Trump me synimin për të dobësuar aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare dhe civile që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas CENTCOM, sulmet nisën të dielën në mbrëmje sipas orës amerikane dhe për herë të pare janë përdorur dronë sulmues ajrorë dhe detarë njëkahësh.
Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet amerikane shkaktuan vdekjen e një personi në jugperëndim të Iranit, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur.
Vetëm pak orë pas sulmeve të reja amerikane, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se kishte kryer sulme me raketa ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein shkruan BBC, transmeton KosovaPress. Deri tani nuk ka pasur konfirmim të pavarur nga autoritetet amerikane për këto pretendime.
Përshkallëzimi i tensioneve ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëveshjes së përkohshme mes ShBA-së dhe Iranit, e cila ishte nënshkruar në muajin qershor.
Ndërkohë, vazhdojnë deklaratat kontradiktore lidhur me statusin e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme për transportin global të naftës. Irani pretendon se e ka mbyllur ngushticën deri në një njoftim të dytë, ndërsa Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se lundrimi në këtë korridor detar vazhdon normalisht.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se vala e fundit e sulmeve nisi rreth orës 17:00 me kohën lindore të SHBA-së. Sipas saj, objektivat përfshinin dhjetëra pozicione ushtarake iraniane, mes tyre sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë bregdetarë, si dhe kapacitete për lëshimin e raketave dhe dronëve.