Teksa zjarret po bëhen më shkatërruese, sa e përgatitur është Kosova?

Rreth 50 mijë hektarë tokë janë djegur nga zjarret në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit. Derisa shumica prej tyre thuhet të jenë nxitur nga dora e njeriut, ato ndodhën në kohën e temperaturave të larta dhe të thatësisë gjatë muajve korrik dhe gusht. Në përgatitje për sezonin e sivjetmë të zjarreve, Bashkimi Evropian ka…

Lajme

12/07/2026 18:17

Rreth 50 mijë hektarë tokë janë djegur nga zjarret në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit. Derisa shumica prej tyre thuhet të jenë nxitur nga dora e njeriut, ato ndodhën në kohën e temperaturave të larta dhe të thatësisë gjatë muajve korrik dhe gusht.

Në përgatitje për sezonin e sivjetmë të zjarreve, Bashkimi Evropian ka thyer rekord me mobilizim, duke angazhuar qindra zjarrfikës dhe dhjetëra avionë e helikopterë.

Po Kosova?

Agjencia e Menaxhimit Emergjent thotë se gjatë dy vjetëve të fundit i ka përmirësuar pajisjet, por pranon se ende i duhen më shumë zjarrfikës dhe automjete.

Sot, Kosova ka rreth 800 zjarrfikës, ndërsa sipas standardeve do t’i duheshin 1 mijë e 100.

Ky hendek bëhet edhe më shqetësues kur merret parasysh se 2025-ta ishte sezoni më i rëndë i zjarreve i regjistruar ndonjëherë në Kosovë.

Rreth 18 mijë e 500 hektarë tokë u dogjën, dhe pothuajse gjysma e tyre ishte ishin pyje.

Sipas ekspertit të sistemeve të informacionit gjeografik dhe teledetektimit, Faruk Foniqi, zonat më të rrezikuara mbeten Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit dhe Kopaoniku.

“Qasja në to është shumë e vështirë për shkak të releviet, rrugëve. Në shumicën e rasteve, Qeveria, komuna është detyruar të kërkoj ndihmën e KFOR-it”, ka thënë Foniqi.

Por, problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e kapaciteteve. Foniqi thotë se Kosova ka qasje në të dhëna satelitore, por jo mjaftueshëm ekspertë për t’i përdorur ato.

BE-ja i përdor këto të dhëna për t’i monitoruar në kohë reale temperaturat, lagështinë e tokës dhe përhapjen e zjarreve.

Një valë e të nxehtit veçse u regjistrua këtë verë në Evropë, qysh në qershor si pasojë e së cilës u shkaktuan mbi një mijë vdekje shtesë.

Në Kosovë, përveç thatësisë e nxehtësisë, faktori njerëzor mbetet ndër shkaktarët kryesor të zjarreve në pyje.

Vetëm një cigare e hedhur, një shishe qelqi apo një zjarr i pashuar mund të mjaftojë për të shkatërruar pyje që duhen vite për t’u rikuperuar. REL