16 të helmuar nga sanduiçi që dyshohet se e hëngrën në një nga piceritë në kryeqytet

16 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, pasi kanë konsumuar sanduiçë në një nga pikat e rrjetit të restoranteve “Sach Pizza” në Prishtinë. Pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe që nga e premtja po marrin trajtim në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Nga Klinika Infektive kanë konfirmuar se 16 persona…

Lajme

12/07/2026 20:07

16 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, pasi kanë konsumuar sanduiçë në një nga pikat e rrjetit të restoranteve “Sach Pizza” në Prishtinë.

Pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe që nga e premtja po marrin trajtim në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nga Klinika Infektive kanë konfirmuar se 16 persona janë të hospitalizuar, ndërsa tre prej tyre kanë pranuar trajtim të dielën.

“Të hospitalizuar janë 16 pacientë që nga e premtja, në mesin e tyre tre kanë ardhur këtë të diel”, ka deklaruar Izet Sadiku, shef i ndërrimit në Klinikën Infektive.

Mjekët janë duke pritur rezultatet e analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të helmimit dhe për të kuptuar nëse gjendja e pacientëve është shkaktuar nga ushqimi i konsumuar.

Familjarë të disa prej pacientëve kanë deklaruar se dyshojnë që sanduiçët mund të kenë qenë të ngrirë dhe më pas të ngrohur para konsumimit.

Nëna e një 22-vjeçari, i cili është shtruar në Klinikën Infektive mbrëmjen e kaluar, ka treguar se djali i saj kishte konsumuar ushqim në një nga restorantet e rrjetit “Sach Pizza”.

“Mbrëmë e kam sjellë, është prej të premtës me barkqitje, të vjella, me temperaturë, me ethe, mbrëmë e kam sjellë në Klinikë dhe e kanë ndalë. Sipas kontrollave të para, shumica e mjekëve që e kanë kontrollu mbrëmë dhe sot në mëngjes është helmim, edhe rastet e tjera që janë të shtruara në Klinikë janë me të njëjtën arsye, domethënë kanë ngrënë në sach, krejt po thojnë sanduiqa. Dy djemtë e mi edhe nipi kanë porositë dhe kanë ngrënë hamburgera, dhe këta dy të mëdhenjtë kanë ngrënë edhe sanduiq, të dy janë helmu. Djali është pak ma mirë tash, ka qenë shumë keq, nipi është pak ma mirë është në Lipjan”, tha ajo.

Ndërkohë, njëri prej pacientëve ka deklaruar jozyrtarisht se 16 persona janë të shtrirë vetëm në një kat të Klinikës Infektive, ndërsa raste të tjera po trajtohen edhe në hapësira të tjera të klinikës.

Policia e Kosovës është kontaktuar për të dhënë informacione lidhur me rastin, por deri të dielën pasdite nuk ka pasur ndonjë deklarim zyrtar.

Televizioni ka tentuar të kontaktojë edhe përfaqësuesit e “Sach Pizza”, por nuk ka arritur të marrë një përgjigje.