Anëtarët e VV-së në KQZ ndryshojnë qëndrim, votojnë për certifikimin e rezultateve të Listës Serbe që dikur e quanin ‘terroriste’

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, nga ku VV ka marrë 47.13% apo 53 ulëse, PDK 19,44% apo 22 ulëse, LDK 16,69% apo 18 ulëse, Aleanca 6,74% apo 7 ulëse dhe Lista Serbe 5,4% apo 9 ulëse. Këto rezultate janë certifikuar me 9 vota për, asnjë kundër dhe…

Lajme

08/07/2026 11:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, nga ku VV ka marrë 47.13% apo 53 ulëse, PDK 19,44% apo 22 ulëse, LDK 16,69% apo 18 ulëse, Aleanca 6,74% apo 7 ulëse dhe Lista Serbe 5,4% apo 9 ulëse.

Këto rezultate janë certifikuar me 9 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, shkruan lajmi.net.

Përveç partive shqiptare, dhe atyre të minoriteteve, është certifikuar edhe rezultati i Listës Serbe pasi ka marrë votën edhe të VV-së, apo bashkëshortit të U.D Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiut, Alban Krasniqit dhe Violeta Spahiut.

Dikur, anëtarët e VV-së në KQZ, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi refuzonin me çdo kusht votimin për certifikimin e kësaj partie, pasi që e quanin terroristë.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, anëtari i VV-së në KQZ-së, Alban Krasniqi, gjatë një mbledhje kishte shpalosur një mesazh “po pluralizmit, jo terrorizmit”. Mesazhi ishte drejtuar ndaj Listës Serbe.

KQZ certifikoi sot rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një muaj pas mbajtjes së tyre.

Ato ishin zgjedhjet e treta parlamentare që Kosova organizoi në më pak se një vit e gjysmë.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Albulena Haxhiut, e ka për detyrë ta thërrasë një seancë konstitutive të Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, seanca duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.

Në këtë seancë bëhet konstituimi i Kuvendit, zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, ndërsa më pas vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Pas konstituimit të Kuvendit, Haxhiu e nominon partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje. /Lajmi.net/