Ministrja Rizvanolli vazhdon gjuhën mohuese ndaj gazit amerikan: Nuk është projekt i kësaj dekade

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisëka folur për projektin e gazit amerikan, atë të anuluar në vitin 2021 dhe këtë që po diskutohet tani. Sipas saj, në vitin 2021 Qeveria e Kosovës zgjodhi projektin e baterive për shkak se ishte më i lehtë dhe më i shpejtë për t’u implementuar, ndërsa për vonesat e mosrealizimit të…

Lajme

03/07/2026 20:57

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisëka folur për projektin e gazit amerikan, atë të anuluar në vitin 2021 dhe këtë që po diskutohet tani.

Sipas saj, në vitin 2021 Qeveria e Kosovës zgjodhi projektin e baterive për shkak se ishte më i lehtë dhe më i shpejtë për t’u implementuar, ndërsa për vonesat e mosrealizimit të këtij projekti ka thënë se janë bërë për shkak të ndryshimeve që ishin bërë në fillim të administratës Trump.

Ndërsa sa u përket diskutimeve aktuale për projektin e ri të gazit amerikan, ka thënë se kjo çështje nuk është e kësaj dekade dhe është projekt që realizohet prej vitit 2030 e tutje.

Tutje ajo ka thënë se ata që propozojnë central me gaz duhet të jenë të sinqertë dhe të tregojnë edhe për parametrat financiarë dhe sa jemi të gatshëm të paguajmë.

“Janë tri çështje kyçe për projektin e vitit 2021 që qytetarët duhet t’i dinë. Në atë kohë nuk është folur për gazin amerikan. Në atë kohë ka qenë e paspecifikuar se nga do të merrej gazi. Projekti i parafizibilitetit ka ofruar kyçjen në TAP që vjen nga Azerbajxhani përmes Turqisë në Greqi e më tutje në Maqedoni. Fraza se është refuzuar gazi amerikan ka qenë e pasaktë, sepse nuk është ditur kah do të vijë. E dyta, është krijuar përshtypja se SHBA me grante do të na ndërtonin gazsjellësin dhe ne nuk e kemi dashur. Në fakt, pjesa më e madhe e tij nuk ka qenë e planifikuar të ndërtohet me grant të MCC-së. 83 prej 104 milionë dollarëve kanë qenë të planifikuara t’i investojë Qeveria e Republikës së Kosovës përmes kredisë me BERZH-in. Një linjë do të ndërtohej për SHARRCEM-in, një për Ferronikelin, dikur rreth 20 milionë eurove të taksapaguesve amerikanë, ndërsa vetë Ferronikeli është deklaruar se nuk e dëshiron. Pra ka pasur të bëjë me çështjet financiare e jo çështje tjera”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja ka treguar se kusht i MCC-së ka qenë mbyllja e Kosovës A, sepse projekti i gazit nga Shkupi, për të qenë fizibil, ka qenë me pas një central me 250 megavat-orë energji elektrike e që punon gjashtë muaj të vitit.

“Projekti i gazit nuk bëhet në këtë dekadë se është i pamundur me u realizu, gazsjellësin dhe krejt infrastrukturën përcjellëse, edhe nëse ishte nis atëherë, edhe nëse niset sot, nuk ishin kry. Kushti për me mbyllë Kosovën A dhe me importu gaz për neve ka qenë që nuk kemi mujt ta marrim”, ka thënë Rizvanolli në “Euro n’T7”.