Hormuzi dhe bisedimet SHBA–Iran mbajnë nën presion tregun e naftës

Çmimet e naftës shënuan lëvizje të vogla të premten, ndërsa po mbyllin javën me rënie të lehtë, në një kohë kur investitorët po ndjekin nga afër zhvillimet në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat mund të ndikojnë në stabilitetin e furnizimit global. Nafta e papërpunuar Brent u ul me 8 cent, ose…

Bota

03/07/2026 17:55

Çmimet e naftës shënuan lëvizje të vogla të premten, ndërsa po mbyllin javën me rënie të lehtë, në një kohë kur investitorët po ndjekin nga afër zhvillimet në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat mund të ndikojnë në stabilitetin e furnizimit global.

Nafta e papërpunuar Brent u ul me 8 cent, ose 0.11 për qind, duke u tregtuar me 71.72 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) ra me 22 cent, ose 0.32 për qind, në 68.47 dollarë për fuçi, transmeton lajmi.net.

Në nivel javor, të dy treguesit kanë humbur rreth 0.3 për qind, pasi tregu është ndikuar nga pritjet për një ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas analistëve të Commerzbank, çmimet vazhdojnë të jenë nën presion për shkak të optimizmit se bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit mund të çojnë në një rihapje të plotë të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.

Edhe analistët e Citi vlerësojnë se procesi i negociatave mbetet i ndjeshëm, por nuk pritet të dështojë në këtë fazë.

“Procesi i arritjes së marrëveshjes SHBA-Iran mbetet i brishtë, por vazhdon për momentin… Ne presim që Memorandumi i Mirëkuptimit të mbetet në fuqi, jo sepse besimi është rritur papritur, por sepse të dyja palët kanë pak interes për ta prishur atë”, thuhet në analizën e Citi.

Ndërkohë, disa dërgesa nafte kanë rifilluar kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit, megjithëse situata mbetet e paqëndrueshme pas sulmeve të ndërsjella që pasuan fundjavën e kaluar, kur Irani sulmoi një anije mallrash.

Në këtë klimë, prodhuesit e Gjirit po përpiqen të rrisin furnizimin. Sipas një burimi të Reuters, prodhimi i naftës në Kuvajt u rrit në 1.65 milion fuçi në ditë gjatë qershorit, nga 580 mijë fuçi në ditë sa ishte në maj.

Po ashtu, të paktën pesë supertankerë me rreth 10 milionë fuçi naftë saudite kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Saudi Aramco ka shtuar shitjet në tregun spot për klientët aziatikë, me synimin për të përshpejtuar eksportet.

Analisti i PVM, Tamas Varga, vlerëson se një rritje më e qëndrueshme e çmimeve do të vijë vetëm pasi tregu të përthithë rezervat ekzistuese të naftës dhe nëse rritja e prodhimit nuk arrin të kompensojë plotësisht furnizimin që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.

Tregjet amerikane do të jenë të mbyllura të premten për shkak të festës së Ditës së Pavarësisë së SHBA-së./lajmi.net/