Projekti i gazit amerikan përçan skenën politike në Kosovë: Debat i madh mes Qeverisë në detyrë dhe opozitës pas thirrjeve të SHBA-së

Gazi i lëngëzuar amerikan, është aktualisht një nga debatet më të mëdha dhe më serioze në vend, që e ka ndarë skenën politike në dy tabore, atë pro tij dhe ata që publikisht refuzojnë të deklarohen se janë kundër. Qeveria në detyrë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në…

Lajme

29/06/2026 14:00

Gazi i lëngëzuar amerikan, është aktualisht një nga debatet më të mëdha dhe më serioze në vend, që e ka ndarë skenën politike në dy tabore, atë pro tij dhe ata që publikisht refuzojnë të deklarohen se janë kundër.

Qeveria në detyrë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli nuk kanë folur shumë për këtë temë, por as edhe nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesave të ambasadës amerikane në Kosovë e as opozitës e ekspertëve të energjisë që kanë bërë thirrje për ta pranuar dhe për të filluar projektin për të.

Rizvanolli, ka ngulur këmbë se Kosova nuk është kundër gazit të lëngëzuar amerikan (LNG), por nuk sqaroi nëse do t’i bashkohet përfundimisht apo jo projektit të aleatit të vet më të madh për furnizim me LNG.

Në një video të postuar mëngjes e së premtes në llogarinë e vet në Facebook, Rizvanolli tha se dëshiron ta sqarojë çështjen e gazit amerikan, duke qenë se Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti po përballet me kritika dhe trysni pasi është shfaqur e rezervuar për projektin.

Rizvanolli tha se “nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga SHBA-ja, siç po thuhet”.

Ajo tha se Kosova nuk e ka as përvojën dhe as infrastrukturën për t’u furnizuar me LNG, prandaj çështja e diskutimit të gazit amerikan “është përtej politikave ditore”.

“Si gjithmonë ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin e përgjegjësinë më të lartë bashkë me ekspertët e të gjitha institucionet relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat ekonomike e politike”, tha ajo.

Në Kosovë 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli. Por, vendi varet nga importi gjithashtu, posaçërisht në kohët e pikut të dimrit dhe verës.

“Ne kemi zgjedhur thëngjillin, burimet e ripërtërimit të energjisë si era e dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore dhe efiçencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët e bizneset tona”, tha ajo.

Rizvanolli e bëri të qartë se Qeveria në detyrë e sheh gazin amerikan si burim shtesë, duke e përsëritur gjithashtu se ajo e vlerëson gazifikimi i thëngjillit si mundësi më të mirë se furnizimin me LNG-në amerikane.

Sipas saj, përmes gazifikimit të thëngjillit Kosova do të shtonte kapacitete të reja “që janë me teknologji më të avancuar e më pak ndotje”.

Ajo përmend një memorandum bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë në vitin 2022, me synim bashkëpunimi në termocentralin e Vlorës me LNG.

Edhe vetë kryeministri Kurti e ka përmendur gazifikimin e thëngjillit si zgjedhje më të parapëlqyer sesa LNG-ja amerikane.

“Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më të mirë, më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Nga analizat që kemi bërë del se mënyra më e shpejtë, e dobishme dhe ekonomikisht e favorshme për inkuadrimin potencial të LNG-së në miksin tonë energjetik është përmes termocentralit në Vlorë”, tha ajo.

Ministrja në detyrë argumentoi se Kosova nuk varet nga gazi për shkak të rezervave të thëngjillit që gëzon.

“Përballueshmëria e çmimeve është konsideratë kyçe në politikën tonë energjetike”, shtoi ajo.

Rizvanolli gjithashtu tentoi t’i zbusë shqetësimet se Kosova mund të përballet me përkeqësim marrëdhëniesh me SHBA-në, nëse nuk i bashkohet projektit.

Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës paralajmëruan ditë më parë se refuzimi i projekteve rajonale të LNG-së rrezikon të kenë ndikim negativ në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

“Pavarësisht këtyre diskutimeve nuk ka asnjë dilemë që Kosova dhe Qeveria e saj kanë qenë dhe mbeten të bashkërenduara me politikën e jashtme të SHBA-ve në mënyrë konsistente dhe parimore”, nguli këmbë Rizvanolli.

Njohësit e zhvillimeve që ndërlidhen me energjetikën në Kosovë vlerësojnë se SHBA-ja po bën përpjekje që t’i mos i lërë vendet e Ballkanit Perëndimor të cenueshme përballë ndikimit rus dhe ndikimeve tjera në sektorin e energjisë.

Disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit.

Në mesin e tyre Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. Rishtazi është nënshkruar një projekt i madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.

Rizvanolli pretendoi se Kosova nuk po zgjedh mes SHBA-së dhe Rusisë, pasi, për dallim nga disa vende të tjera të rajonit, ajo nuk varet nga gazi rus.

Ajo shtoi se “sigurisht që Kosova e çmon dhe përkrah përpjekjen e SHBA-së për të eliminuar ndikimin që Rusia ka në rajonin tonë përmes furnizimit me gaz”.

“Mirëpo, në rastin e Kosovës, shfrytëzimi i temës së gazit për të vendosur etiketime si antiamerikan ose për të shtruar pyetjen me Rusinë a me Amerikën është jo vetëm fals, por edhe komplet i palogjikshëm, sepse Kosova nuk importon asnjë metër kub gaz rus”, shtoi ajo.

Për të pranuar gazin amerikan, Kosovës i kanë ardhur thirrje të shumta, e biles edhe ish-ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Hovenier në fillim të qershorit ishte shprehur se nëse Kosova s’e pranon projektin në fjalë, administrata Trump mund ta humb interesin për bashkëpunim.

“Administrata e Trumpit është dëshmuar si transaksionale. Nëse jeni të gatshëm të bëni marrëveshje, bëni; nëse jo, nuk jeni të interesuar. Nëse Kosova nuk i përgjigjet ofertës së administratës së Trumpit për LNG, atëherë administrata e Trumpit do të humbë edhe më shumë interes për Kosovën, dhe çdo veprim sa i përket dialogut dhe partneritetit energjetik e forcon Kosovën si partner. Çdo veprim në kundërshtim me këtë e çon potencialin diku tjetër”, ka deklaruar Hovenier.

Përveç tij, thirrje drejtuar Kosovës që të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG) bëri edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati.

Në një opinion për mediat kosovare më 4 qershor, Prattipati tha se “së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.

Në opinionin e saj, Prattipati tha se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji dhe citoi të dhënat e Doganës së Kosovës, se vendi ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.

Këto të dhëna tregojnë një rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.

“Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, shkroi ajo.

Prattipati gjithashtu e citoi të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, i cili tha për Radion Evropa e Lirë më 10 maj se “sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane”, dhe se “Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”.

“Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën”, shkroi tutje Prattipati.

Ajo paralajmëroi se “mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet”.

“Eksportet e LNG-së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundruesi gazit natyror në Kroaci”, theksoi ajo.

Sipas saj, Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e LNG-së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.

“Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të LNG-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan. Historia nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen”, shkroi Prattipati.

Përveç tyre, edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar pas deklaratave të fundit të anëtarëve të kabinetit të qeverisë në detyrë lidhur me orientimin e politikave energjetike të vendit.

Në një deklaratë për media, Oda Amerikane ka vlerësuar se prioritetet e paraqitura deri më tani nuk e adresojnë si duhet nevojën e Kosovës për rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë elektrike, uljen e varësisë nga importi dhe forcimin e sigurisë së furnizimit.

“ Çështja thelbësore nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike të prodhuar në vendet fqinje. Pyetja strategjike është nëse Kosova duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të saj”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore duhet të jetë prioritet kombëtar. “Është argumentuar se importimi i energjisë elektrike përmes infrastrukturës ekzistuese transmetuese është zgjidhje më praktike dhe më pak e kushtueshme sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë. Megjithatë, vlerësimi i kësaj çështjeje vetëm mbi bazën e kostos fillestare të infrastrukturës nuk pasqyron përfitimet afatgjata që sjell ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese brenda vendit”, thekson tutje komunikata.

Sipas OEAK çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët.

“Vazhdimi i mbështetjes kryesisht në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk varen nga vendimmarrja e saj. Kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi qartë se shtetet që dispononin kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut”, thotë OEAK.

Sipas Odës amerikane kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse shumë shtete evropiane kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë në infrastrukturën për LNG, përfshirë LNG-në amerikane.

“Përtej aspektit ekonomik, këto vendime janë udhëhequr nga objektiva strategjike për diversifikimin e burimeve të furnizimit, zvogëlimin e varësisë nga një numër i kufizuar furnizuesish dhe forcimin e sigurisë kombëtare. Në realitetin e ri gjeopolitik, energjia nuk trajtohet më vetëm si mall tregtar, por si komponentë kyçe e politikës së sigurisë dhe i partneriteteve strategjike. Prandaj, Kosova nuk guxon të mbetet jashtë këtij transformimi”, theksohet tutje.

Pikërisht për këtë arsye, Oda Amerikane beson fuqishëm se rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit duhet të mbetet ndër objektivat kryesore strategjike të Kosovës.

“Në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane paraqet rrugën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese. Ndërtimi i interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut është identifikuar, përmes studimeve të mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), si alternativa më e favorshme ekonomike për furnizimin e Kosovës me gaz natyror”, thekson OEAK.

Sipas OEAK kapacitetet gjeneruese me bazë LNG janë ndër teknologjitë komercialisht të gatshme që mund të ndërtohen brenda një periudhe prej vetëm dy deri në tre vitesh.

“Për më tepër, projekte të tilla kanë mundësi dukshëm më të mëdha të financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa ndërtimi i kapaciteteve të reja me bazë qymyri. Po aq e rëndësishme është të kuptohet se LNG-ja nuk është alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Përkundrazi, ajo është teknologjia që mundëson integrimin e një sasie shumë më të madhe të energjisë nga era dhe dielli, duke siguruar fleksibilitetin e nevojshëm për funksionimin e një sistemi modern elektroenergjetik”, thotë OEAK.

Në anën tjetër, sipas OEAK, gazifikimi i qymyrit mund të konsiderohet si pjesë e diskutimeve për sigurinë afatgjatë energjetike të vendit, por ai nuk mund të adresojë nevojat urgjente të Kosovës për rritjen e kapaciteteve prodhuese.

“Një projekt i tillë kërkon kohë dukshëm më të gjatë për realizim, ndërsa mundësia e sigurimit të financimit mbetet e pasigurt, duke pasur parasysh politikat ndërkombëtare për dekarbonizim. Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë konsideron se Kosova duhet të ndjekë një qasje të dyfishtë: të zhvillojë sa më shpejt kapacitetet e reja gjeneruese me bazë LNG për të adresuar nevojat afatshkurtra dhe afatmesme të sigurisë energjetike, ndërsa paralelisht të vazhdojë vlerësimin e opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve të saj vendore”, thekson tutje OEAK.

Sipas Odës Ekonomike Amerikane politikat energjetike nuk duhet të maten vetëm me koston fillestare të investimit, por me aftësinë e tyre për të garantuar furnizim të sigurt, çmime të parashikueshme dhe prodhim vendor të energjisë elektrike. Për OEAK, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do t’i mundësonte vendit ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në afatin më të shkurtër të mundshëm, do të rriste ndjeshëm sigurinë energjetike, do të forconte konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës dhe do ta thellonte më tej partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fund të komunikatës Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ripërsëriti qëndrimin e saj se në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende evropiane po e shohin LNG-në amerikane si një investim strategjik në sigurinë e tyre energjetike dhe kombëtare, Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi.

Çfarë po thuhet në Kosovë?

Përveç ndërkombëtarëve, saktësisht akterëve politik nga SHBA-të shumë thirrje e shumë kritika po dërgohen drejt Qeverisë në detyre edhe nga partitë opozitare në Kosovë si dhe nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ditë më parë lidhur me çështjen e gazit amerikan, duke thënë se ky debat s’është për një tubacion, porse, “për sigurinë kombëtare” të vendit.

Çitaku, ka shtuar edhe se, pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore, dhe se, kur flitet për gazin, flitet për siguri, ekonomi, diplomaci, partneritet strategjik dhe të ardhmen e Kosovës.

‘’Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike. Fillimisht si opozitë, e më pas si qeveri. E shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme’’, ka shkruar ajo mes tjerash.

Përveç saj, nga kjo parti ka reaguar edhe deputeti i zgjedhur i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Ai ka thënë se sot Qeveria Kurti po refuzon edhe një mundësi tjetër për t’u kyçur në korridoret e gazit amerikan, duke u rikthyer sërish te i njëjti argument, qymyri.

“Pavarësia energjetike është një domosdoshmëri ekonomike për zhvillimin e vendit, por edhe domosdoshmëri gjeopolitike për ta mbajtur SHBA-në të angazhuar në Kosovë. Këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës. Edhe Serbia po lidhet me korridoret e gazit të lëngshëm (LNG), ndërsa Kosova vazhdon të izolohet me vendime të gabuara politike. Kosovës nuk i duhen arsyetime pse nuk lidhet me gazin amerikan. Kosovës i duhet vizion dhe vendimmarrje strategjike për t’u bërë pjesë e tij”, ka shkruar Hoxhaj.

Për gazin amerikan kanë reaguar edhe nga LDK.

Deputeti i zgjedhur i kësaj partie dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se për këtë çështje duhet të protestohet.

“Çështja e projektit të gazit është shumë më e madhe dhe më serioze sesa po paraqitet sot. Kjo nuk është vetëm një çështje infrastrukture apo energjie është një provë e qartë për orientimin strategjik të Kosovës dhe për raportin tonë me aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një kohë kur qeveria po e kundërshton këtë projekt, heshtja nuk është opsion. Reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar se populli i Kosovës mbetet fuqishëm i rreshtuar krah aleancës me SHBA-në dhe vlerave euroatlantike. Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu. Ky është moment për zërin e qytetarëve.”, ka shkruar Hoti.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri që është edhe eksperte e energjisë, ka shkruar disa herë radhazi për çështjen e gazit të lëngëzuar amerikan.

Ajo ka thënë se Artane Rizvanolli ka thënë gënjeshtra dhe dezinformata ne lidhje me vullnetin e SHBA-ve për të investuar në sektorin energjetik në Kosovë.

“Duke marre parasysh kontrollin e sektorit te energjie në Kosovë nga mafia energjetike me lidhje me Serbine, nuk do shume mend se refuzimi i bashkepunimit me SHBA në cenon sigurinë kombetare te Kosovës po edhe te krejt rajonit. Korrupsioni masiv ne ketë sektor, dyshimet për sabotime te vazhdueshme në KEK  si dhe imuniteti praktik qe gëzojnë argatet e kesaj mafie si Albin Kurti e Artane Rizvanolli tregojnë për kapjen e institucioneve kryesore tona nga akterë rajonale qe janë kundër Kosovës dhe stabilitetit rajonal”, ka shkruar Ymeri.

Ajo ka thënë se Kurti dhe Rizvanolli do të duhej të suspendonin licencat e EFT-së dhe NOA-s dhe të fillonin bisedimet e menjëhershme me kompani nga SHBA për investime ne sektorin e energjisë po edhe ne atë minerar.

“Është shumë lehte me dëshmu qe kjo që them nuk qëndron – krejt çka duhet është me vepru,  suspendoni licencat dhe ftoni investitorët nga SHBA”, ka shkruar Ymeri.

Nga partitë opozitare, si thelbësore dhe shumë të rëndësishme gazin e lëngëzuar amerikan e kanë parë edhe nga AAK.

Kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini në një konferencë për media ka deklaruar se kjo është kusht kryesor që të ndihmojnë partinë në pushtet të zgjedh Presidentin që vendi të mos mbetet i bllokuar.

Ai kërkoi që institucionet e reja të pranojnë menjëherë projektin strategjik të gazsjellësit amerikan, të nisin procedurat për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr dhe të rrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, me qëllim që, sipas tij, të lehtësohet funksionimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Nga kjo parti për gazin amerikan ka shkruar edhe ish-kryetari i Aleancës dhe deputeti i zgjedhur i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se po përgatisin njerëzit e tyre për protesta kundër projektit të gazit amerikan.

“Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan. Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton. Çka don ky njeri nga Kosova?”, ka shkruar ditë më parë Haradinaj.

Për këtë temë, kanë folur edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës/

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, është deklaruar se përfshirja në projektet e LNG-së amerikane nuk ka vetëm rëndësi energjetike, por edhe strategjike e gjeopolitike, ndërsa paralajmëron se mungesa e vullnetit nga Kosova mund të ndikojë negativisht në raportet me aleatin kryesor të vendit.

Zeka tha se zgjerimi i rrjetit të gazit të lëngshëm natyror amerikan në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor ka qenë prioritet i administratave amerikane për më shumë se një dekadë.

“Edhe është për keqardhje që Qeveria e Republikës së Kosovës kjo në detyrë, po natyrisht edhe ajo domethënë para saj që kishte mandat të plotë edhe nga viti 2021 e tutje, nuk arrijnë të kuptojnë këtë aspekt të rëndësishëm, këtë aspekt strategjik për administratën amerikane. E konfirmuar në një deklaratë që Departamenti i Shtetit kishte bërë, që kjo çështje mbetet ndoshta ndër shtyllat kryesore të vendosjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shteteve të kontinentit të Evropës”, tha Zeka, për EO.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, adresoi kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke u ndalur veçanërisht te çështja e gazit amerikan.
Ai theksoi se Kosova nuk ka hapësirë për refuzimin e një oferte të tillë, duke e cilësuar atë si të rëndësishme në disa dimensione.

“Në rend të parë unë besoj se ka qenë kampanjë zgjedhore dhe nuk e besoj që dikush në Kosovë e ka lluksin apo komoditetin që në këtë mënyrë ta refuzojë një ofertë të tillë amerikane. Në rend të dytë për hir të shikuesve tuaj të respektuar po e them një fjali: Edhe atëherë historikisht nuk kemi menduar që Amerika e ka keq, ka dalë që Amerika e ka pasur mirë dhe neve na ka dalë keq”, tha Gërxhaliu në Klan Kosova.

Ai shtoi se një projekt i tillë nuk ka vetëm peshë ekonomike, por edhe rëndësi më të gjerë politike dhe strategjike për vendin.

“Prandaj në këtë drejtim të refuzohet një projekt i tillë, i cili ka rëndësi jo vetëm ekonomike, jo vetëm integruese por edhe gjeostrategjike, besoj që Qeveria e Kosovës cilado të jetë nuk do ta një gjë të tillë”, shtoi ai.

Marrëdhëniet e Kosovës me aleatin kryesor, SHBA-të mund të përkeqësohen nëse Kosova pavarësisht thirrjeve të tyre nuk vendos të pranoj këtë mundësi që i kanë dhënë. Kjo mund të jetë një goditje më e madhe për Kosovën se sa pezullimi i Dialogut Strategjik që ka ardhur më parë nga SHBA-të për shkak të disa vendimeve tjera të Qeverisë së Kosovës. Thirrjet e vazhdueshme të ShBA-ve që ky projekt të pranohet nga Kosova veçse u kanë rikujtuar drejtuesve të vendit se kjo është një kërkesë që do t’i afronte edhe më tepër marrëdhëniet në mes dy vendeve./Lajmi.net/