OSHP diskualifikon për tetë muaj dy kompani, dyshime për dokumentacion të falsifikuar në tenderin e Mitrovicës

Dy operatorë ekonomikë janë përjashtuar për një periudhë tetëmujore nga procedurat e prokurimit publik, pas një vendimi të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Bëhet fjalë për kompanitë “Quality Asphalt” SHPK dhe “Rahovica” SHPK, ndaj të cilave OSHP-ja ka marrë masën e diskualifikimit pas konstatimeve lidhur me dokumentacionin e dorëzuar në një procedurë tenderimi, raporton lajmi.net…

Lajme

25/08/2026 10:15

Dy operatorë ekonomikë janë përjashtuar për një periudhë tetëmujore nga procedurat e prokurimit publik, pas një vendimi të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Bëhet fjalë për kompanitë “Quality Asphalt” SHPK dhe “Rahovica” SHPK, ndaj të cilave OSHP-ja ka marrë masën e diskualifikimit pas konstatimeve lidhur me dokumentacionin e dorëzuar në një procedurë tenderimi, raporton lajmi.net

Rasti ka të bëjë me një kontratë të Komunës së Mitrovicës së Jugut për asfaltimin e disa rrugëve në zonat Bajgorë, Rashan, Tërsten, Kutllovc dhe Vllahi, projekt ky që ishte paraparë të realizohej në bashkëfinancim me MMPHI-në.

Çështja kryesore e shqyrtimit ishte një rimorkio-kompresor, e cila ishte deklaruar si pjesë e kapaciteteve teknike të të dy kompanive përmes marrëveshjeve për shfrytëzim me kompaninë “Komplast” SHPK.

Gjatë procesit të verifikimit, autoriteti kontraktues kishte kërkuar sqarime shtesë për statusin dhe pronësinë e pajisjes. Nga dokumentacioni i shqyrtuar ishte konstatuar se pajisja kishte ndryshuar pronar, ndërsa dokumentet e përdorura në ofertat e kompanive lidhe­shin me të dhëna të mëhershme.

Pas analizimit të provave dhe dokumenteve të paraqitura, OSHP-ja ka vlerësuar se të dhënat në dokumentacionin e tenderit ishin ndryshuar dhe se kjo përbënte mashtrim të autoritetit kontraktues.

Për pasojë, të dy kompanitë janë ndëshkuar me tetë muaj diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurim publik. Masa për “Quality Asphalt” SHPK dhe “Rahovica” SHPK është në fuqi nga 6 gushti 2026 deri më 5 prill 2027./Lajmi.net/