ZKA “fundos” Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës: 469 mijë euro paga pa dëshmi pune, pasuri të fryra me 41 milionë euro dhe kontrata me miliona tejkalime

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2025, pas identifikimit të një sërë parregullsish financiare dhe të menaxhimit. Auditorët kanë konstatuar probleme serioze në raportimin financiar, menaxhimin e pasurive, prokurimin publik, realizimin e projekteve kapitale dhe menaxhimin e…

Lajme

19/06/2026 11:18

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2025, pas identifikimit të një sërë parregullsish financiare dhe të menaxhimit.

Auditorët kanë konstatuar probleme serioze në raportimin financiar, menaxhimin e pasurive, prokurimin publik, realizimin e projekteve kapitale dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, transmeton lajmi.net.

Sipas raportit, pesë çështje kryesore kanë ndikuar drejtpërdrejt në opinionin e auditimit: nënvlerësimi i llogarive të arkëtueshme për 28,861 euro, mosraportimi i një detyrimi prej 270 mijë eurosh, pagesa prej 469,885 euro për 61 punonjës pa dëshmi të vijueshmërisë në punë, dobësi në regjistrimin e pasurive me ndikim mbi 40 milionë euro dhe keqklasifikimi i shpenzimeve në vlerë 2.73 milionë euro.

Pagesa për 61 punonjës pa dëshmi të angazhimit në punë

Një nga gjetjet më të rënda lidhet me 61 punonjës të angazhuar në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit.

Gjatë vitit 2025, MMPHI ka realizuar pagesa në vlerë prej 469,885 eurosh për këta persona, por nuk ka ofruar dëshmi për vijueshmërinë apo angazhimin e tyre në punë.

Auditorët theksojnë se kjo çështje është përsëritur edhe në vitet e kaluara pa u zgjidhur.

Sipas ZKA-së, mungesa e evidencave e bën të pamundur vërtetimin nëse këta persona kanë kryer detyra reale, duke krijuar rrezik për shpenzime të paarsyetuara dhe mungesë llogaridhënieje.

Pasuritë e ministrisë të mbivlerësuara me mbi 40 milionë euro

Auditimi ka zbuluar probleme të mëdha në regjistrimin dhe menaxhimin e pasurive shtetërore.

Sipas auditorëve, pasuritë kapitale janë mbivlerësuar për 41.15 milionë euro, ndërsa në raste të tjera janë nënvlerësuar për rreth 978 mijë euro.

Ndër rastet kryesore:

  • Projekti për zgjerimin e pistës dhe sistemeve përcjellëse në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është regjistruar si pasuri e ministrisë në vlerë prej 33.5 milionë eurosh, megjithëse nuk është pronë e saj. Vetëm ky rast ka ndikuar në mbivlerësimin e regjistrit të pasurive për afro 29.5 milionë euro.
  • Gjashtë projekte të bashkëfinancuara me komuna, me vlerë mbi 4.18 milionë euro, vazhdonin të figuronin në regjistrat e ministrisë edhe pasi kishin kaluar në pronësi të komunave.
  • Pesë projekte të përfunduara me vlerë 2.63 milionë euro vazhdonin të mbaheshin si investime në vijim, pa u transferuar në kategorinë e pasurive në përdorim dhe pa u zhvlerësuar sipas rregullave.
  • Një investim prej 847,542 eurosh në rehabilitimin e rrugës Kllokot–Gjilan nuk ishte regjistruar fare në regjistrat e pasurisë.

Auditorët theksojnë se mungesa e koordinimit mes njësive përgjegjëse dhe komunave, si dhe kontrollet e dobëta të brendshme, kanë ndikuar që pasqyrat financiare të mos paraqesin gjendjen reale të pasurive publike.

Shpenzime të klasifikuara gabimisht në vlerë 2.7 milionë euro

Një tjetër gjetje me ndikim material ishte keqklasifikimi i shpenzimeve në vlerë prej 2,735,190 eurosh.

Auditorët konstatuan se shpenzime të konsiderueshme nuk ishin regjistruar në kategoritë e duhura buxhetore, duke ndikuar në paraqitjen e saktë të shpenzimeve dhe të pasqyrave financiare.

Sipas auditimit 12 pagesa në vlerë 2,662,043 për mallra dhe shërbime, nga to katër rast me vlerë prej 632,184 euro kanë të bëjnë me pagesat e shpronësimeve për pajtimet gjyqësore dhe aktvendimet e gjykatave ku u përfshinë edhe shpenzimet e kamatave, tri pagesa në vlerë prej 1,122,537 euro.

Nuk raportoi detyrim prej 270 mijë eurosh

MMPHI nuk e ka paraqitur në pasqyrat financiare një detyrim të papaguar prej 270 mijë eurosh që buronte nga një vendim gjyqësor.

Auditorët konstatuan se vetëm një pjesë e shumës ishte ekzekutuar, ndërsa pjesa e mbetur nuk ishte reflektuar si obligim i papaguar në raportimin financiar, duke kufizuar transparencën mbi detyrimet ekzistuese të ministrisë.

Parregullsi në prokurim dhe projekte rrugore pa leje ndërtimore

Auditimi identifikoi shtatë raste ku projekte rrugore ishin kontraktuar pa leje ndërtimore, duke treguar mangësi në respektimin e kërkesave ligjore dhe kontrolleve të brendshme.

Po ashtu, në tri procedura prokurimi kishte mangësi në procesin e vlerësimit të ofertave, ndërsa në raste të tjera komisionet nuk kishin kërkuar sqarime për çmime jashtëzakonisht të ulëta të ofruara nga operatorët ekonomikë. Auditorët paralajmërojnë se kjo mund të ndikojë në cilësinë e punimeve dhe në konkurrencën e drejtë.

Tejkalime milionëshe në kontrata

Sipas auditimit, ministria nuk ka respektuar plotësisht dispozitat për kontratat me çmime për njësi.

Janë evidentuar:

  • tejkalime të sasive në vlerë prej 1.28 milion euro;
  • mosrealizim i sasive të planifikuara në vlerë prej 688 mijë euro.

Përveç kësaj, në dy kontrata janë bërë ndryshime të sasive pa miratimet e nevojshme paraprake, duke rezultuar me tejkalime deri në 235,815 euro.

Auditorët vlerësojnë se kjo rrit rrezikun e manipulimit me pozicionet dhe parametrat e tenderëve fillestarë.

Vonesa në trajtimin e lejeve mjedisore

Në pesë raste, ministria nuk kishte respektuar afatet ligjore për trajtimin e aplikimeve për pëlqime dhe leje mjedisore.

Sipas auditorëve, numri i madh i lëndëve dhe kapacitetet e kufizuara kishin shkaktuar vonesa, duke krijuar pasiguri për operatorët ekonomikë dhe duke zvarritur proceset administrative.

26 rekomandime nga ZKA

Raporti rezultoi me gjithsej 26 rekomandime, prej të cilave 10 janë të përsëritura nga vitet e kaluara, tre konsiderohen pjesërisht të zbatuara dhe 13 janë rekomandime të reja.

Auditorët vlerësojnë se shumica e problemeve lidhen me dobësitë në kontrollin e brendshëm, menaxhimin e projekteve kapitale, pasurive dhe procedurave të prokurimit publik./lajmi.net/