Dogana sekuestron mbi 3 mijë artikuj tekstili të dyshuar si të falsifikuar, vlera e mallrave është rreth 82 mijë euro
Njësitet e Doganës së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, kanë realizuar një kontroll të papritur në një objekt të dyshuar për posedim të mallrave pa dokumentacion të rregullt dhe me dyshime për shkelje të markave tregtare. Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej…
Lajme
Njësitet e Doganës së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, kanë realizuar një kontroll të papritur në një objekt të dyshuar për posedim të mallrave pa dokumentacion të rregullt dhe me dyshime për shkelje të markave tregtare.
Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 3 mijë e 183 copë produkte tekstile të markave të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë veshje, bluza, maica, shorce, trenerka, jakne, kapela dhe artikuj të tjerë.
Sipas procedurave të parapara ligjore, mallrat janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës dhe janë dërguar në depo të sigurt doganore.
Dogana ka njoftuar se vlera e mallrave të sekuestruara, sipas vlerësimit doganor, arrin në 81,677.46 euro, ndërsa detyrimet e llogaritura doganore dhe tatimore arrijnë në mbi 24 mijë euro.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, me qëllim të mbrojtjes së ekonomisë, konsumatorëve dhe konkurrencës së ndershme në treg”, ka njoftuar Dogana. /Lajmi.net/