Skandaloze: Raporti i ZKA-së e konfirmon se Qeveria ka borxh mbi 2.8 milionë euro për mos-kompensim të ushtarëve
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Mbrojtjes nuk ka kompensuar plotësisht pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për punën në kujdestari gjatë vitit 2025. Sipas auditorëve, ministria ka kryer pagesa vetëm për muajin janar 2025, ndërsa për pjesën tjetër të vitit nuk ka pasur mjete të mjaftueshme buxhetore për të…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Mbrojtjes nuk ka kompensuar plotësisht pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për punën në kujdestari gjatë vitit 2025.
Sipas auditorëve, ministria ka kryer pagesa vetëm për muajin janar 2025, ndërsa për pjesën tjetër të vitit nuk ka pasur mjete të mjaftueshme buxhetore për të përmbushur obligimet.
Si rezultat, vlera e kompensimeve të papaguara për pjesëtarët e FSK-së ka arritur në 2,869,999 euro, transmeton lajmi.net.

Raporti thekson se moskompensimi i plotë paraqet rrezik që Ministria e Mbrojtjes të përballet me padi gjyqësore, të cilat mund të shkaktojnë kosto shtesë financiare, përfshirë shpenzime gjyqësore dhe përmbarimore.
Për këtë çështje, ZKA ka rekomanduar që ministri ta trajtojë problemin në Qeveri dhe të gjenden zgjidhje për kompensimet, si dhe të përshpejtohet rishikimi i rregullores për orarin e punës në FSK.
Lajmi.net ka raportuar disa herë radhazi mbi mos-pagesat e kompensimet e ushtarëve të Kosovës. Madje kemi raportuar se si shumë ushtarë veçse kanë paditur Ministrinë e Mbrojtjes pasi nuk u paguheshin orët shtesë e atyre u kërkohej të merrnin pushim.
E mbi këtë ministri në detyrë, Ejup Maqedonci pati vendosur të mos deklarohet fare./Lajmi.net/