Gucati për Jakup Krasniqin: Padrejtësi që nuk mund të takohet lirisht me familjen
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka reaguar lidhur me trajtimin e Jakup Krasniqit, duke e cilësuar si padrejtësi faktin që ai nuk mund ta takojë lirisht vëllain e tij në Kosovë. Përmes një reagimi publik, Gucati ka shprehur indinjatën e tij, duke thënë se është…
Lajme
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka reaguar lidhur me trajtimin e Jakup Krasniqit, duke e cilësuar si padrejtësi faktin që ai nuk mund ta takojë lirisht vëllain e tij në Kosovë.
Përmes një reagimi publik, Gucati ka shprehur indinjatën e tij, duke thënë se është e rëndë që ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk është i lirë në vendin e tij.
“Është më se e rëndë, është turp i kohës dhe padrejtësi therëse të shohësh një njeri si Baca Jakup Krasniqi, burrin e dijes, të pushkës, të pendës dhe të burrërisë, të mos jetë i lirë në tokën e tij, pranë vatrës që e fali të tërën për këtë liri që sot gëzojmë”, ka shkruar Gucati.
Ai ka kritikuar edhe kufizimet që, sipas tij, e pengojnë Krasniqin të takohet lirisht me familjarët.
“Të mos i lejohet të takojë lirisht as vëllain e tij në vendin për të cilin ai fali rininë, djersën dhe çdo grimë të jetës. Cila drejtësi njerëzore apo ndërkombëtare e arsyeton këtë mizori shpirtërore?”, ka pyetur Gucati.
Kreu i OVL-UÇK-së ka përmendur edhe bashkëshorten e Jakup Krasniqit, Sevidijen, duke vlerësuar qëndresën dhe sakrificën e saj ndër vite.
“Në krah të tij, e fortë si Kulla e Llapushnikut, qëndron Zonja Sevidije, një grua fisnike, simbol i qëndresës madhështore, e cila bashkë me Bacën Jakup ka bartur mbi supe stuhitë më të rënda të historisë sonë më të re”, ka shkruar ai.
Gucati ka theksuar se, sipas tij, trajtimi i Krasniqit përbën padrejtësi jo vetëm ndaj tij dhe familjes, por edhe ndaj vlerave të luftës çlirimtare.
Ai ka shtuar se Krasniqi ka hyrë në histori si burrë shteti dhe idealist, ndërsa ka kërkuar që të mos heshtet përballë asaj që ai e konsideron persekutim.
“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por krenaria dhe dinjiteti i Bacës Jakup dhe Zonjës Sevidije nuk gjunjëzohen kurrë”, ka përfunduar Gucati.
Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi është larguar nga shtëpia e tij në Prishtinë ku kishte qëndruar për disa orë të mërkurën. Gjatë qëndrimit të tij në shtëpi, qytetarë të shumtë ishin mbledhur teksa nisej Jakup Krasniqi për në Hagë, me shpresën se do të kishin mundësi ta takonin dhe ta përshëndetnin.
Në momentin kur Jakup Krasniqi u largua nga shtëpia, disa qytetarë brohoritnin “UÇK, UÇK”, duke shprehur mbështetjen e tyre për Krasniqin.