Pa urgjencë: Kurti nuk nis proces për presidentin anipse raporti i forcave në kuvend dihet, “presim certifikimin e rezultatit”

Raporti i forcave në Kuvend të Kosovës dihet. Vetëvendosja është në 52 mandate dhe me kaq projektohet të përmbyllet pesha parlamentare e saj. Vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme shkaku i moszgjedhjes së presidentit ndërsa sahati kushtetues për zgjedhjen e tij është gjashtëdhjetë ditë nga konstituimi i kuvendit. Por, edhe para gjashtëdhjetë ditëshi si proces…

Lajme

16/06/2026 14:04

Raporti i forcave në Kuvend të Kosovës dihet.

Vetëvendosja është në 52 mandate dhe me kaq projektohet të përmbyllet pesha parlamentare e saj.

Vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme shkaku i moszgjedhjes së presidentit ndërsa sahati kushtetues për zgjedhjen e tij është gjashtëdhjetë ditë nga konstituimi i kuvendit.

Por, edhe para gjashtëdhjetë ditëshi si proces që nis vetiu me t’u konsituar Kuvendi Albin Kurtit të Vetëvendosjes nuk po i jep urgjencë.

Me një Vetëvendosje që qëndron në 52 deputetë dhe nëntë të pakicave joserbe që supozohen të mirëqena se i ka, ai arrin një qeveri-zori dhe atë thjesht dy muajshe pa zgjidhje për presidentin.

Pyetur nga gazetarët se si do ta ketë kursin politik, ai la të kuptojë se Vetëvendosja nuk do të ndryshojë nga legjislatura e kaluar, por se “opozita duhet të ndryshojë.”

Kurti gjatë përurimit të një rruge në Malishevë u lëshua në kritika ndaj Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e rrëzimit të Behxhet Pacollit nga posti i presidentit.

Tha se “ishte aktivizëm juridik, amandamentim, rishkrim,” kur saktësohej prania dhe votat e 80 deputetëve në kuti për të pasë kuorum për raundin e parë.

Shtoi se për atë Aktgjykim “ka pasur kritike kredibile.”

Por, për çështjet që vinë, ai la të kuptojë se do të procedojë me konstituim të kuvendit dhe zgjedhje të qeverisë, ndërsa për president “nuk mund ta zgjedhim vetë.”

“Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit ose presidentes,” tha ai duke mos dhënë indikacione se synon koalicion të gjerë qeverisës me ndonjë nga partitë opozitare për zgjedhje të presidentit.

“Për të ecur përpara ka nevojë të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës. Ndërkohë që ne në karakterin tonë si VV të jemi kreativ, konstruktiv, aktiv,” tha ai.

Kurti sinjalizoi rrugë kontra

Me numërimin e votave me postë të diasporës që pritet t’i sigurojnë Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e 52-të, Albin Kurti duket se po i afrohet shumicës minimale për qeveri të re.

Me 52 deputetë dhe nëntë deputetë të komuniteteve joserbe që konsiderohen të mirëqena, Vetëvendosje arrin në 61 vota, minimumi i nevojshëm për zgjedhjen e ekzekutivit.

Por rruga drejt qeverisë nuk është edhe rruga që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e fundit për çështjen e Presidentit.

Gjykata Kushtetuese ka sqaruar fare thjeshtë renditjen e detyrimeve kushtetuese kur vendi hyn në një legjislaturë të re pa president të zgjedhur, transmeton nacionale.

Në paragrafin 162, Gjykata ka konstatuar se, “procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve”.

Interpretimi i Gjykatës nënkupton se konstituimi i Kuvendit aktivizon menjëherë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve, shpërndarjhet Kuvendit dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Megjithatë, deklaratat e Albin Kurtit nuk kanë dhënë të kuptojë se do të shkojë simbas këtij rendi kushtetues të gjërave.

I pyetur për hapat pas certifikimit të rezultatit, Kurti u shpreh optimist për krijimin e institucioneve.

“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket formimit të qeverisë”, tha ai.

Ai shtoi se Vetëvendosje “do të jetë bartëse e themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”.

Kurti po ashtu la të kuptohet se nuk sheh nevojë për ndryshim të kursit politik dhe as për ndërtim të domosdoshëm të një koalicioni paszgjedhor.

“Vendi ka qeveri, vendi ka president, por çka nuk ka, nuk ka Kuvend”, kishte deklaruar ai më herët.