Lëvizja “Revolta” i drejtohet MPB-së: Sa serbë aplikuan për shtetësi të Kosovës?
Lëvizja “Revolta” zhvilloi një aksion simbolik para Ministrisë së Punëve të Brendshme duke shprehur shqetësimet lidhur me mungesën e transparencës për aplikimet për shtetësi të Republikës së Kosovës. Një grup prej pesë të rinjsh me pankartat “Institucionet nuk janë pronë private”, “Heshtja e ministrisë është alarm”, “Nuk ka shtet pa llogaridhënie” dhe “Ministria ka zgjedhur…
Lajme
Lëvizja “Revolta” zhvilloi një aksion simbolik para Ministrisë së Punëve të Brendshme duke shprehur shqetësimet lidhur me mungesën e transparencës për aplikimet për shtetësi të Republikës së Kosovës.
Një grup prej pesë të rinjsh me pankartat “Institucionet nuk janë pronë private”, “Heshtja e ministrisë është alarm”, “Nuk ka shtet pa llogaridhënie” dhe “Ministria ka zgjedhur heshtjen, ne zgjodhëm revoltën” vlerësoi se ky ligj ka një rrezik shumë të madh.
Rilind Kuçi nga kjo lëvizje tha se janë të informuar që një numër i madh i serbëve kanë aplikuar për të marrë shtetësinë kosovare.
“Ne kemi informata që një numër shumë i madh i serbëve veçse kanë aplikuar për të marrë shtetësi. Sipas analizave tona, me këto dy nene rritet numri potencial i serbëve, të cilët mund të marrin shtetësi në Kosovë deri në 1 milion. Dhe nëse janë 1 milion persona serbë, të cilët mund të marrin shtetësi në Kosovë, atëherë çfarë kuptimi kanë krejt viktimat e luftës në këtë vend, që e kanë dhënë jetën dhe tash të kthehen ata prapë në Kosovë?”, tha ai.
Kuçi tha se kanë kërkuar nga kjo ministri të tregojë numrin e saktë të aplikuesve serbë, por nuk kanë marrë përgjigje, duke bërë sërish thirrje të përgjigjen.
“Ne kemi reaguar direkt tek Ministria e Punëve të Brendshme edhe kemi kërkuar prej ministrisë një pyetje shumë të thjeshtë: të na tregojë numrin e saktë të aplikuesve serbë për të fituar shtetësinë e Kosovës. Fatkeqësisht, i kanë tejkaluar krejt afatet ligjore, duke përfshirë shtatëditorëshin edhe tetëditorëshin. Kanë kaluar rreth dy javë prej kur e kemi dërguar kërkesën edhe nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje, edhe pse jemi munduar t’i dërgojmë rikujtime që duhet të na përgjigjen. Na kanë detyruar të kalojmë prej pyetjes se sa serbë kanë aplikuar për të fituar shtetësinë e Kosovës, pyetjes se çka janë duke fshehur. Çka janë duke fshehur kur nuk kthejnë përgjigje? A ka rrezik?. Ne kemi kërkuar diçka që e kemi me të drejtë, cilat janë qasja në dokumente publike, sepse dokumentet publike janë publike e nuk janë private. I kemi kërkuar ministrisë të na përgjigjet, sepse ministria është publike e nuk është private. Edhe kemi ardhur sot këtu me një aktivitet simbolik për t’i treguar të gjithë atyre që e kanë pushtetin e të gjithë atyre që mund të marrin pushtetin pas tyre, që pushtetin mos ta konsiderojnë si privilegj e fuqi, po ta konsiderojnë si përgjegjësi. E përgjegjësinë ndaj neve, ndaj çdo qytetari që e meriton ta dijë të vërtetën në këtë vend”, shtoi ai.
Ai tha se nëse nuk do të ketë reagim të shpejtë do të paralajmërojnë thirrje për protestë.
“Sot është aktivitet simbolik, por ne e paralajmërojmë ministrinë, që nëse nuk ka reagim të shpejtë për këtë çështje, si nga ana e ministrisë, si nga ana e tërë pushtetit, atëherë ne paralajmërojmë thirrje për protestë”, tha ai./kp