BQK-ja dhe Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe (CBUAE) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi që synon forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në sektorin financiar. Memorandumi u nënshkrua në Abu Dhabi nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe guvernatori i CBUAE-së, Khaled Mohamed Balama. Sipas njoftimit, marrëveshja parasheh…
Lajme
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe (CBUAE) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi që synon forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në sektorin financiar.
Memorandumi u nënshkrua në Abu Dhabi nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe guvernatori i CBUAE-së, Khaled Mohamed Balama.
Sipas njoftimit, marrëveshja parasheh avancimin e koordinimit në fushat mbikëqyrëse dhe rregullative, si dhe shkëmbimin e ekspertizës në teknologjinë financiare, politikën monetare, masat makroprudenciale dhe stabilitetin financiar.
Po ashtu, Memorandumi përfshin bashkëpunimin në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, përfshirjen dhe edukimin financiar, bankimin me parime islame, mbikëqyrjen bankare, sistemet e pagesave, zbatimin e standardeve ndërkombëtare prudenciale, si dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, Khaled Mohamed Balama, tha se marrëveshja vjen në një periudhë transformimesh të shpejta në sektorin financiar global.
“Ky Memorandum Mirëkuptimi me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës vjen në një kohë të transformimeve të shpejta në sektorin financiar global, të cilat kërkojnë kanale më të fuqishme institucionale të bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse. Përmes këtij Memorandumi Mirëkuptimi, synojmë të shkëmbejmë njohuri dhe praktika më të mira që rrisin gatishmërinë dhe aftësinë e sektorit financiar për të ecur në hap me ndryshimet”, tha ai.
Ndërkaq, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e cilësoi marrëveshjen si një moment historik për institucionin që drejton.
“Ky Memorandum i parë i Mirëkuptimit me Bankën Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe përbën një moment historik për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Ai pasqyron përkushtimin tonë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucione partnere me reputacion të lartë, forcimin e kapaciteteve tona institucionale dhe mbështetjen e modernizimit të vazhdueshëm të sektorit financiar të Kosovës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira”, deklaroi Ismaili.
Sipas BQK-së, memorandumi pritet të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar në të dy vendet.