Costa nga Serbia: Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është thelbësore për rrugën përpara

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, pas vizitës në Kosovë, ka zhvilluar vizitë edhe në Serbi. Nga atje, Costa, gjatë një konference për media, ka thënë se zgjerimi evropian ndërtohet mbi besim, ka theksuar se duhet të ketë bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Tutje, ai ka deklaruar se, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit…

Lajme

04/06/2026 12:11

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, pas vizitës në Kosovë, ka zhvilluar vizitë edhe në Serbi.

Nga atje, Costa, gjatë një konference për media, ka thënë se zgjerimi evropian ndërtohet mbi besim, ka theksuar se duhet të ketë bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Tutje, ai ka deklaruar se, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është thelbësore.

‘‘Rruga përpara është sfiduese, por drejtimi është i qartë. Duhet të përqendrohemi në tri prioritete kryesore. Së pari, nxitja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal. Këto janë jetike si për sigurinë, ashtu edhe për prosperitetin ekonomik. Dialogu Beograd–Prishtinë dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit janë thelbësore në këtë drejtim’’, ka thënë ai.

Tutje, duke iu drejtuar Serbisë, Costa, ka kërkuar përafrim me politikat dhe vlerat e Bashkimit Evropian.

‘‘Së dyti, përafrimi me politikat dhe vlerat e Bashkimit Evropian, veçanërisht me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Këto nuk janë vetëm parime që ne i mbështesim; ato janë vetë themeli i projektit evropian dhe i partneritetit tonë me Serbinë. Së treti, zbatimi i reformave në vazhdim është i domosdoshëm për të ecur përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit. Ne ju inkurajojmë të vazhdoni të përshpejtoni reformat në tri fusha të rëndësishme që i përmendët: sundimin e ligjit, përfshirë zbatimin e plotë të kërkesave dhe informacionit të kërkuar’’, ka thënë ai mes tjerash.