MPB: Deklarata e Daut Haradinajt e pasaktë, shtetësia e dy personave serbë është regjistruar vite më parë
Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të ish-deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, të bëra në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, duke i cilësuar ato si të pasakta lidhur me dy persona nga komuniteti serb dhe procesin e dhënies së shtetësisë së Kosovës. MPB sqaroi se regjistrimi i shtetësisë së dy…
Lajme
Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të ish-deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, të bëra në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, duke i cilësuar ato si të pasakta lidhur me dy persona nga komuniteti serb dhe procesin e dhënies së shtetësisë së Kosovës.
MPB sqaroi se regjistrimi i shtetësisë së dy personave në fjalë nuk lidhet me ligjin e ri për shtetësinë dhe as me proceset aktuale të gjendjes civile, duke theksuar se ata janë regjistruar shumë vite më parë, përkatësisht në vitet 2001 dhe 2007, raporton lajmi.net
Sipas ministrisë, njëri nga personat, Milovan Bojoviq, është regjistruar fillimisht në vitin 2007 dhe ka poseduar dokumente të UNMIK-ut, ndërsa letërnjoftimin e Republikës së Kosovës e ka marrë në vitin 2011.
MPB shton se ai nuk ka realizuar më shërbime në sistemin e gjendjes civile dhe se në vitin 2016 është arrestuar nga Policia e Kosovës, për të cilin më pas Gjykata e Apelit ka vendosur lirimin e tij.
Psotimi i plotë:
Reagim publik ndaj deklaratave të pasakta të ish-Deputetit, Daut Haradinaj.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes këtij reagimi, dëshiron të informojë dhe sqarojë opinionin publik lidhur me deklarimet e pasakta të bëra nga ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), z. Daut Haradinaj, në emisionin “Debat Plus”, në TV Dukagjini, në lidhje me dy persona nga komuniteti serb për të cilët është pretenduar se Ministria e Punëve të Brendshme ua ka dhënë shtetësinë e Republikës së Kosovës.
MPB-ja sqaron se regjistrimi i shtetësisë së personave në fjalë nuk ka asnjë lidhje me Ligjin e ri për Shtetësinë dhe as me procesin aktual të regjistrimit të fakteve të gjendjes civile. Të dy personat janë regjistruar në regjistrat përkatës shumë vite më parë, respektivisht në vitet 2001 dhe 2007.
Sipas të dhënave zyrtare, Milovan Bojović është regjistruar për herë të parë në vitin 2007 dhe ka qenë posedues i dokumenteve identifikuese të UNMIK-ut. Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës e ka marrë në vitin 2011. Që nga ajo kohë, ai nuk ka realizuar asnjë shërbim përmes sistemit të Gjendjes Civile.
Gjithashtu, vlen të theksohet se i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës më 8 prill 2016. Fillimisht ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit, mirëpo më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur ndërprerjen e kësaj mase, duke mundësuar lirimin e tij. Pas lirimit, ai ishte larguar nga territori i Republikës së Kosovës nga Policia e Kosovës.
Sa i përket personit të dytë, Suzana Ranković, MPB-ja sqaron se ajo është qytetare e Republikës së Kosovës dhe nuk është vajza apo mbesa e Aleksandër Rankovićit, siç është pretenduar në deklaratën e z. Haradinaj. Kjo qytetare ka poseduar letërnjoftim të UNMIK-ut që nga viti 2001, të cilin e ka konvertuar në letërnjoftim të Republikës së Kosovës në vitin 2015.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë akterëve publikë dhe politikë që para se të bëjnë deklarime publike të verifikojnë faktet dhe të shmangin përhapjen e informatave të pasakta, të cilat mund të dezinformojnë opinionin publik dhe të cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit, transparencës institucionale dhe ofrimit të informacioneve të sakta për qytetarët e Republikës së Kosovës./Lajmi.net/