Abdixhiku i ashpër me Kurtin: Ne fëmijët nuk i shtim me recitu poezi që e ofendojnë tjetrin, ne fëmijët i kemi krenari
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, ka zgjedhur Vitin për të dhënë mesazhin e tij më të qartë për zgjedhjet e ardhshme. Në tubimin e organizuar atje, ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe rikujtoi rolin historik të kësaj treve si bastion i LDK-së. Por fjalimi i…
Lajme
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, ka zgjedhur Vitin për të dhënë mesazhin e tij më të qartë për zgjedhjet e ardhshme.
Në tubimin e organizuar atje, ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe rikujtoi rolin historik të kësaj treve si bastion i LDK-së.
Por fjalimi i tij nuk u ndal vetëm te lavdërimet. Abdixhiku kritikoi qeverisjen në detyrë, duke ironizuar rastin e fundit ku një vajzë e mitur u ftua nga kryeministri Albin Kurti të recitojë një poezi që përmbante shprehje kontroverse, transmeton lajmi.net.
“Ne fëmijët nuk i shtim me recitu poezi që e ofendojnë tjetrin, ne fëmijët i kemi krenari. Krenaria e Kosovës, e ardhmja jonë. Mbaje flamurin lart!”, tha ai.
Kritika e tij shkon paralel me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili gjobiti Lëvizjen Vetëvendosje me 5.100 euro për përdorimin e fëmijëve në fushatë.
Ky vendim nxiti debat në publik mbi etikën e fushatës dhe rolin e fëmijëve në politikë.
Abdixhiku gjithashtu theksoi rëndësinë e rezultateve të LDK-së në këtë komunë, duke vënë theksin te vazhdimësia e mbështetjes qytetare: “Fitoret e një herëshme mund të jenë rastësi, por ato të përsëritura tregojnë forcën dhe besueshmërinë.”
Mes mesazheve të tij, duket qartë se LDK-ja synon të pozicionohet si alternativë e qartë ndaj Kurtit, duke përdorur raste të tilla për të argumentuar për një qasje më të respektueshme dhe përgjegjëse në fushatën zgjedhore./lajmi.net/