Komiteti për Politikë të Jashtme i PE-së: Kriza politike në Kosovë mund të rezultojë me humbje financiare
Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar raportin vjetor për Kosovën, në të cilin përsëritet se viti 2025 ishte një vit i humbur për vendin, ndërsa tërhiqet vërejtja se edhe muajt e vitit 2026 po rrezikohen për shkak të krizës politike. Këto humbje, sipas dokumentit, do të rezultojnë edhe me humbje…
Lajme
Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar raportin vjetor për Kosovën, në të cilin përsëritet se viti 2025 ishte një vit i humbur për vendin, ndërsa tërhiqet vërejtja se edhe muajt e vitit 2026 po rrezikohen për shkak të krizës politike.
Këto humbje, sipas dokumentit, do të rezultojnë edhe me humbje të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes i BE-së, pasi ekziston frika se Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nga kjo shumë, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se vendi përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.
Fundi i qershorit të këtij viti është momenti kur secili shtet i rajonit hyn në të ashtuquajturin moment të humbjes së përhershme, nëse nuk i përmbush reformat e dakorduara më herët.
Burimet në Bruksel i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nëse nuk ndërmerren të gjitha reformat, Kosova mund të humbasë 68.8 milionë euro.
Gjatë krizës politike vitin e kaluar në Kosovë – kur u mbajtën dy palë zgjedhje parlamentare për shkak të pamundësisë së formimit të institucioneve – u vunë në dyshim fondet nga Plani i Rritjes, por edhe fonde nga mekanizma të tjerë ndërkombëtar.
Vendi do të mbajë zgjedhje të reja parlamentare më 7 qershor të këtij viti, pasi legjislatura paraprake nuk arriti të zgjidhte një president të ri, duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Autori i dokumentit, eurodeputeti, njëherësh raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, ka vlerësuar se 18 muajt e fundit kanë qenë të vështirë për Kosovën.
“Ngërçi politik ka një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen e vendit. Është e rëndësishme që Kosova të qëndrojë në rrugën evropiane dhe të ecë përpara me integrimin”, ka deklaruar Terras pas miratimit të dokumentit.
Ai ka theksuar se raporti i miratuar ofron një vlerësim objektiv dhe të drejtë të situatës në Kosovë.
“Ne theksojmë çështjet që lidhen me lirinë e medias, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu theksojmë zhvillimet pozitive – miratimin e vendimeve të nevojshme për Planin e Rritjes nga Kuvendi i Kosovës dhe, natyrisht, heqjen e masave të Komisionit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë lajme shumë të mira”, ka shtuar eurodeputeti Terras.
Në të ashtuquajturën deklaratë shpjeguese, të cilën Terras ia ka bashkëngjitur dokumentit zyrtar në formë aneksi, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian vlerëson se zgjedhjet e vitit 2025, si ato parlamentare ashtu edhe ato lokale, janë zhvilluar në mënyrë të rregullt.
“Megjithatë, procesi normal politik është cenuar thellësisht”, ka vlerësuar Terras.
Ai, para votimit të raportit, tha se shpreson Kosova pas këtyre zgjedhjeve do të dalë nga qorrsokaku politik.
Përmes këtij dokumenti shprehet mbështetje e fuqishme për synimet e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, shprehet keqardhje për ngërçin politik dhe, siç u tha, polarizimin që po e shoqërojnë vendin, si dhe për proceset e shumta zgjedhore të viteve të fundit.
Në raport mbështetet, mes tjerash, aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat dhe u bëhet thirrje shteteve anëtare që, pa vonesa të panevojshme, ta mandatojnë Komisionin Evropian për përpilimin e pyetësorit.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të dhjetorit të vitit 2022, por aplikimi i saj ende nuk është shqyrtuar nga BE-ja.
Këshilli i Bashkimit Evropian, sipas raportit, ftohet, të veprojë me shpejtësi dhe t’ia japë Kosovës statusin e kandidatit, pasi të jenë përmbushur kriteret përkatëse.
Po ashtu, u bëhet thirrje pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian – Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Qipros – që ta njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të mundësohet avancimi i barabartë i Kosovës me shtetet e tjera kandidate.
Në këtë kontekst rikujtohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Përshëndetet vendimi, siç thuhet, “ndonëse i vonuar”, për heqjen e masave dhe theksohet se ato kanë qenë në kundërshtim të qartë me angazhimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përafrimit me politikat e Bashkimit Evropian.
Vlerësohet se masat kanë qenë të pajustifikuara dhe se ato kanë pasur ndikim negativ në shoqërinë e Kosovës.
Në raport vihet në pikëpyetje mungesa e transparencës dhe e parashikueshmërisë, niveli i informimit publik, si dhe kohëzgjatja e zgjatur e masave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kërkesat për heqjen e tyre.
Ndërkaq, përshëndetet përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj procesit integrues. Në këtë kontekst rikujtohet se dialogu për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, mbetet pjesë integrale e perspektivës evropiane të Kosovës.
Kosovës dhe Serbisë u bëhet thirrje që të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i sjellë sa më shpejt para drejtësisë autorët e sulmit të vitit 2023 në Banjskë.
Një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës gjatë sulmit në Banjskë Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon përfshirjen.
Për sulmin në Banjskë, autoritetet në Kosovë kanë dënuar tre të akuzuar, teksa dhjetëra të tjerë gjenden në arrati. Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit, teksa Kosova kërkon vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë atë.
Në dokumentin e PE-së shprehet keqardhje për faktin se Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht përgjegjësit për këtë sulm, veçanërisht Radoiçiqin.
Dokumenti i miratuar në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian do të prezantohet gjatë verës në njërën nga seancat plenare të Parlamentit Evropian, ku sërish do të hidhet në votim. Me atë rast, dokumenti do të marrë formën e Rezolutës së Parlamentit Evropian. REL