Tërshani: Dorëzova në polici një dosje me 650 faqe me kërcënime “online”
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Adelina Tërshani, ka dorëzuar në Policinë e Kosovës një dosje me materiale që, sipas saj, përmbajnë komente fyese, denigruese dhe kërcënuese të drejtuara ndaj saj në hapësirën digjitale. Ajo bëri të ditur se po dorëzon në Policinë e Kosovës 650 faqe materiale, duke theksuar se veprimi i saj nuk…
Lajme
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Adelina Tërshani, ka dorëzuar në Policinë e Kosovës një dosje me materiale që, sipas saj, përmbajnë komente fyese, denigruese dhe kërcënuese të drejtuara ndaj saj në hapësirën digjitale.
Ajo bëri të ditur se po dorëzon në Policinë e Kosovës 650 faqe materiale, duke theksuar se veprimi i saj nuk ka të bëjë me kritikën politike, por me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet që, sipas saj, synojnë të heshtin gratë në jetën publike dhe politike.
“Sot po dorëzoj 650 faqe material në Policinë e Kosovës, jo sepse jam lënduar nga kritika politike, në demokraci kritika është e domosdoshme, po i dorëzoj sepse kërkush nuk ka të drejtë me përdor kërcënimin, poshtërimin edhe dhunën online si armë për me i hesht, frikësuar apo larguar gratë nga jeta publike e politike. Shumë e kemi toleruar një kulturë ku njerëzit të fshehur mbrapa ekraneve mendojnë se mund me shpif, me ofenduar e kërcënuar pa asnjë pasojë. Kjo duhet me marrë fund. Interneti nuk është zonë pa ligj”, u shpreh ajo.
Ajo foli edhe për sfidat me të cilat përballen gratë në politikë, duke vlerësuar se pjesëmarrja e tyre në jetën publike nuk duhet të shihet si akt guximi, por si e drejtë e barabartë.
“Ka vajza e gra që në vitin 2026 më thonë: “Faleminderit që e ke marrë guximin me na përfaqësuar edhe në politikë” Çfarë guximi duhet me qenë, çfarë guximi duhet për me qenë grua në politikë? Për të kandiduar, për me fol në publik? Boll më me romantizimin e gruas së fortë në politikë. Synimi nuk është me krijuar gra që durojnë gjithçka, synimi është që secili njeri që e merr guximin me sharë, me fyer e fyer, dhe jo vetëm, me secilin koment në rrjete sociale, me dalë para institucioneve të drejtësisë edhe me marrë dënimin meritor”, përfundoi ajo.
Ajo tha se është subjekt i qindra komenteve fyese, denigruese e kërcënuese.