Aktakuzë ndaj katër personave për grabitje me armë pranë tregut të gjelbër në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, K.K., Sh.G., V.S. dhe L.G., të cilët ndodhen në paraburgim, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të grabitjes në bashkëkryerje. Dy prej tyre, K.K. dhe Sh.G., akuzohen edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve. Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 3 shkurt 2026, rreth…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, K.K., Sh.G., V.S. dhe L.G., të cilët ndodhen në paraburgim, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të grabitjes në bashkëkryerje. Dy prej tyre, K.K. dhe Sh.G., akuzohen edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 3 shkurt 2026, rreth orës 01:05, në afërsi të Tregut të Gjelbër në Prizren. Prokuroria pretendon se të pandehurit, pas një marrëveshjeje paraprake, të maskuar dhe të armatosur me armë dhe thikë, iu afruan një automjeti ku ndodheshin dy persona dhe, nën kërcënim, kërkuan para.
Nga e dëmtuara L.R. dyshohet se kanë marrë para të gatshme, ndërsa nga automjeti edhe një send me vlerë të vogël. Pas kryerjes së grabitjes, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.
Sipas Prokurorisë, pas hetimeve dhe kontrolleve të realizuara nga Policia e Kosovës, janë sekuestruar dy armë zjarri, një pistoletë e tipit “Zoraki” kalibër 9 mm me karikator dhe fishek, si dhe një pistoletë e tipit “EKOL” kalibër 9 mm. Gjithashtu është konfiskuar edhe një veturë e tipit “Golf VII”, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin. /Lajmi.net/