785 milionë euro për tremujorin e parë të 2026-tës: Ku i shpenzoi paratë Qeveria e Kosovës?

Mbi tre të katërtat e një miliard eurove janë shpenzuar nga Qeveria e Kosovës vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026. Të dhënat zyrtare tregojnë se shpenzimet buxhetore kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar, me pjesën më të madhe të mjeteve të orientuara në paga, transfere sociale dhe subvencione. Qeveria e…

Lajme

03/06/2026 10:57

Mbi tre të katërtat e një miliard eurove janë shpenzuar nga Qeveria e Kosovës vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026. Të dhënat zyrtare tregojnë se shpenzimet buxhetore kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar, me pjesën më të madhe të mjeteve të orientuara në paga, transfere sociale dhe subvencione.

Qeveria e Kosovës ka realizuar shpenzime në vlerë prej 785.1 milionë eurosh gjatë periudhës janar-mars 2026, që paraqet një rritje prej 13 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, kur ishin shpenzuar 695.3 milionë euro.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të dhëna për lajmi.net, pjesa më e madhe e shpenzimeve, përkatësisht 770.5 milionë euro, janë realizuar përmes shpenzimeve buxhetore, ndërsa 14.6 milionë euro kanë shkuar për pagesa financiare.

Në kuadër të shpenzimeve buxhetore, kategoria me peshën më të madhe vazhdon të jetë ajo e pagave dhe shtesave, për të cilat janë shpenzuar 298.3 milionë euro, ose 36 për qind më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2025.

Për subvencione dhe transfere janë shpenzuar 308.2 milionë euro, duke shënuar rritje prej 22 për qind krahasuar me vitin paraprak. Brenda kësaj kategorie, transferet sociale arritën në 246.9 milionë euro, ndërsa subvencionet për ndërmarrje publike, bujqësi dhe sektorë të tjerë kapën vlerën prej 61.2 milionë eurosh.

Ndërkohë, për mallra dhe shërbime janë shpenzuar 75 milionë euro, rreth 15 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shpenzimet komunale arritën në 9.2 milionë euro, duke shënuar rritje prej 21 për qind.

Të dhënat tregojnë se për pasuri jo-financiare (investime kapitale) janë realizuar vetëm 67.7 milionë euro, që është rreth 31 për qind më pak krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, kur ishin realizuar 97.7 milionë euro.

Për pagesat që lidhen me borxhin publik, përfshirë interesin dhe kthimin e kryegjësë, janë shpenzuar gjithsej 23.9 milionë euro, prej të cilave 12.1 milionë euro për interesa dhe 11.7 milionë euro për kthim të borxhit.

Sipas raportit, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, të hyrat buxhetore arritën në 780.1 milionë euro, ndërsa gjithsej të hyrat ishin 841.8 milionë euro. Si rezultat, bilanci ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore ishte pozitiv në vlerë prej 9.5 milionë eurosh.

Në fund të marsit 2026, gjendja e parasë së gatshme në fondet e Kosovës arriti në 500.1 milionë euro, rreth 20 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Nëse trendi i tre muajve të parë vazhdon edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, buxheti i Kosovës do të vazhdojë të mbështetet kryesisht në shpenzimet rrjedhëse, ndërsa investimet kapitale mbeten sfida kryesore. Të dhënat tregojnë se Qeveria ka orientuar më shumë mjete drejt pagave, transfereve sociale dhe subvencioneve, duke lënë në plan të dytë projektet zhvillimore që pritet të kenë ndikim afatgjatë në ekonomi dhe infrastrukturë. /Lajmi.net/