Hoti kritikon Kurtin: Nuk përmendi asnjë projekt madhor – kur nuk ke rezultate, shpik armiq, kur nuk ke projekte, prodhon justifikime

Kandidati për deputet nga LDK, Avdullah Hoti, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti pas një paraqitjeje publike, duke thënë se ai nuk arriti të përmendë asnjë projekt serioz e madhor të realizuar gjatë viteve të qeverisjes së tij. Hoti tha se gazetari Fidan Rama e pyeti Kurtin për tri projektet me të cilat krenohet…

Lajme

03/06/2026 09:44

Kandidati për deputet nga LDK, Avdullah Hoti, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti pas një paraqitjeje publike, duke thënë se ai nuk arriti të përmendë asnjë projekt serioz e madhor të realizuar gjatë viteve të qeverisjes së tij.

Hoti tha se gazetari Fidan Rama e pyeti Kurtin për tri projektet me të cilat krenohet pas viteve në pushtet, por sipas tij, përgjigjja ishte “zbuluese për qeverisjen e tij të zbrazët”, raporton lajmi.net

“Kur nuk ke rezultate, shpik armiq. Kur nuk ke projekte, prodhon justifikime”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë:

Gazetari Fidan Rama e pyeti Kurtin për tri projektet me të cilat krenohen pas gjithë këtyre viteve në pushtet. Përgjigjja ishte zbuluese për qeverisjen e tij të zbrazët, por edhe dëshpëruese: nuk arriti të përmendë asnjë projekt serioz dhe madhor që ka ndryshuar jetën e qytetarëve.
Rrjedhimisht, u kthye te zanati i tij i vetëm prej se është në politikë: propaganda, mashtrimi dhe fajësimi i të tjerëve.
Kur nuk ke rezultate, shpik armiq. Kur nuk ke projekte, prodhon justifikime.
Por propaganda nuk mund t’i fsheh milionat e shpërndara me tenderë njëburimorë. Nuk i arsyeton kontratat e negocuara në WhatsApp. Nuk i zhduk dyshimet për keqpërdorimin e parasë publike.
Vetëm gjatë vitit 2025, Auditori i Përgjithshëm ka referuar 80 lëndë në Prokurori bazuar në gjetjet e auditimeve në institucione të ndryshme.
Koha e propagandës po mbaron. Koha e llogaridhënies po afrohet. Dhe për dallim nga konferencat për shtyp, para ligjit nuk mjafton propaganda./Lajmi.net/