Përparim Rama i vendos kusht Qeverisë: Zhbllokoni fondet për Unazën e Kryeqytetit, që të mos vendosim tarifën për hyrje në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me diskutimet për vendosjen e një tarife për automjetet që hyjnë në Unazën e Kryeqytetit, duke theksuar se kjo është vetëm një alternativë dhe se nuk do të aplikohet nëse qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për ndërtimin e projektit. Rama ka sqaruar se tarifa e propozuar…

Lajme

03/06/2026 11:15

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me diskutimet për vendosjen e një tarife për automjetet që hyjnë në Unazën e Kryeqytetit, duke theksuar se kjo është vetëm një alternativë dhe se nuk do të aplikohet nëse qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për ndërtimin e projektit.

Rama ka sqaruar se tarifa e propozuar do të ishte 1-2 euro për automjetet që nuk janë të regjistruara në Prishtinë dhe deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj, duke theksuar se fjalën e fundit për këtë çështje e kanë qytetarët e kryeqytetit, raporton lajmi.net

“Kjo nuk është një tarifë e planifikuar apo e vendosur. Po diskutohet si alternativë vetëm për shkak të bllokimit të fondeve nga qeveria aktuale”, ka thënë Rama.

Postimi i tij i plotë:

NËSE QEVERIA I ZHBLLLOKON FONDET E BERZH-IT PËR NDËRTIMIN E UNAZËS SË KRYEQYTETIT, NUK DO TË KETË TARIFA PËR ASKËND!
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Ditëve të fundit është diskutuar një propozim që ka nxitur debat publik: vendosja e tarifës së Unazës së Kryeqytetit për automjetet që nuk janë të regjistruara në Komunën e Prishtinës dhe që hyjnë në kryeqytet.
Para së gjithash, dua të jem shumë i qartë: kjo është një ide për diskutim publik dhe jo një vendim i marrë!
Është propozuar që tarifa të jetë 1 ose 2 euro për automjetet që nuk janë të regjistruara në Komunën e Prishtinës, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj që hyjnë në qendër të Prishtinës.
Fjalën e fundit e kanë qytetarët e Prishtinës që janë plotësisht të lirë të japin idetë, sugjerimet dhe alternativat e tyre në debatin publik.
Arsyeja pse po e shqyrtojmë këtë mundësi është e thjeshtë: Prishtina ka nevojë urgjente për investime të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit, një projekt që do të zvogëlonte kolonat, do të lehtësonte qarkullimin, do të reduktonte ndotjen dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës për të gjithë.
Po e ritheksoj se kjo nuk është një tarifë e planifikuar apo e vendosur. Po diskutohet si alternativë në rast se fondet e BERZH-it vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga kjo qeveri.
Fatkeqësisht, ne jemi të detyruar të shqyrtojë alternativa financimi si rezultat i bllokimit të vazhdueshëm të fondeve nga qeveria aktuale.
Dua të bëj një sqarim për një fakt shumë të rëndësishëm sa i përket fillesës së gjithë kësaj çështjeje.
Paketa financiare për ndërtimin e Unazës së Qytetit arrinte vlerën prej rreth 206 milionë eurosh. Nga kjo shumë, deri në 40% ishin grant, pra para që nuk do të duhej të ktheheshin kurrë nga qytetarët. Ishin fonde falas, të siguruara për zhvillimin e Prishtinës dhe për realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në historinë e qytetit.
Megjithatë, këto fonde u bllokuan dhe vazhdojnë të mbahen të bllokuara.
Kjo do të thotë se Prishtinës po i mohohet mundësia për të përfituar nga qindra miliona euro investime, përfshirë dhjetëra miliona euro grant që nuk do të krijonin asnjë barrë shtesë për qytetarët dhe qytetarëve të Prishtinës po ju vështërsohet jeta.
Prandaj, para se të flasim për tarifa apo alternativa të tjera, është e rëndësishme që qytetarët ta dinë se ekziston një zgjidhje shumë e thjeshtë: zhbllokimi i fondeve të BERZH-it dhe lejimi i realizimit të projektit të Unazës së Qytetit.
Por, nëse qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për ndërtimin e Unazës së Qytetit, nuk do të ketë tarifa për askënd.
Propozimi për tarifën e kongjestionit nuk ka për qëllim mbledhjen e të hyrave për hir të të hyrave. Ai është një mekanizëm alternativ që po shqyrtohet vetëm sepse zhvillimi i Prishtinës nuk mund të mbetet peng i bllokadave politike.
Qytetarët e Prishtinës meritojnë zgjidhje. Meritojnë rrugë më të mira, transport më efikas dhe investime që e bëjnë kryeqytetin një qytet modern evropian.
Prandaj, ftoj qytetarët, ekspertët, bizneset, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e këtij diskutimi dhe të kontribuojnë me idetë e tyre.
Prishtina nuk mund të presë pafundësisht!
Faleminderit./Lajmi.net/