​Musliu: Kurti e zyrtarizoi korrupsionin e votës, Osmani po e rishkatërron LDK-në

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për keqpërdorim të buxhetit të shtetit për qëllime elektorale dhe për thellimin e përçarjeve në shoqërinë kosovare. Në emisionin “Intervista Zgjedhore” në KosovaPress, Musliu tha se qytetarët nuk do të bien…

Lajme

02/06/2026 18:18

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për keqpërdorim të buxhetit të shtetit për qëllime elektorale dhe për thellimin e përçarjeve në shoqërinë kosovare.

Në emisionin “Intervista Zgjedhore” në KosovaPress, Musliu tha se qytetarët nuk do të bien pre e, siç e quajti ajo, mashtrimeve dhe skemave korruptive gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas saj, mënyra se si po shpërndahen mjetet buxhetore nga Qeveria përbën “zyrtarizim të korrupsionit të votës”.

Në këtë mënyrë ajo i kritikoi vendimet për ndarjen e mjeteve financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve gjatë periudhës zgjedhore, duke vlerësuar se aparati shtetëror po vihet në funksion të fushatës së partisë në pushtet.

“Qytetarët nuk do të bien pre e mashtrimit. Nuk do të bien pre e skemave korruptive, ligjore se ligjërisht, dëgjo, deri sot ose deri në këto zgjedhje ka pasur dilema se dikush e ka korruptuar votuesin ose qytetarin ose e ka manipuluar sistemin zgjedhor. Ti sot e ke korruptimin e votës në mënyrë zyrtare. Mënyrën se si e përdor Albin Kurti buxhetin e Kosovës… 12:52 Kur e them e ka zyrtarizuar korrupsionin e votës, mënyrën se si e shpërndan buxhetin, ose e keqpërdor buxhetin e taksapaguesve qytetarë, sepse ato para që po i shpërndan nuk janë të Albin Kurtit. Janë të taksapaguesve qytetarë. Në momentin kur kryeministri del dhe thotë: ‘Për dy muaj fëmijët nga 50 euro’, ata fëmijë as mbas dy muajve nuk bëhen as me punë, as nuk rriten me punu. Kjo i bie që po i jep paratë e veta… Nuk është fer absolutisht sepse ti e ke komplet aparatin shtetëror në fushatë tani, në fushatën e Albin Kurtit. Ti i ke të gjitha automjetet qeveritare në fushatë”, tha ajo.

Musliu akuzoi gjithashtu Kurtin dhe zyrtaren e LVV-së, Dejona Mihali, se kanë ndikuar në krijimin e përçarjeve brenda shoqërisë shqiptare.

Sipas saj, polarizimi politik ka prekur edhe marrëdhëniet familjare dhe shoqërore.

“Ndasinë që e ka krijuar, hendekun që e ka krijuar në mes popullit të Kosovës dhe mërgatës është e pafalshme. Këtë s’kemi me mund ne kurrë me e shëruar çfarë ka bërë ky njeri. Sot nuk flet vëllai me vëllain, nuk flet motra me motrën, nuk flet vjehrra me renë, nuk flet axha me nipin, nipi me axhën, daja me nipin, tezja me mbesën… nuk flasin sot për shkak të Albin Kurtit. Jo për shkak të Albin Kurtit. Kështu direkt për shkak të Albin Kurtit. Se nëse ti ndalesh me ta dhe bisedon dhe i thua: ‘Po kjo politikë është keq, po kjo politikë është keq’, i tregon saktë me argumente, ai thotë ‘Albin Kurti’. Dhe Albin Kurti e Dejona Mihali janë faktorët kryesorë që e kanë futur përçarjen në mes popullit shqiptar”, shtoi Musliu.

Duke folur për mundësinë e bashkëpunimeve politike pas zgjedhjeve, Musliu u shpreh kategorikisht kundër një koalicioni ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Tani unë na duhet me thënë shumë të hapur. Nëse është Albin Kurti i dëmshëm sot, çka po e përmirëson Albin Kurtin nesër? Po i kemi, duhet me i thënë troç, Partia Demokratike nuk duhet dhe nuk guxon të mbajë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk mundesh ti, një njeri që sot është i dëmshëm, nesër ta futësh nën sqetull dhe të qeverisësh me të. Partia Demokratike ka dëshmuar që Kosovën e do edhe kur është në pushtet, edhe kur është në opozitë. Jo vetëm kur është në pushtet”, shtoi Musliu.

Musliu ka drejtuar kritika edhe ndaj ish-presidentes, Vjosa Osmani, duke e akuzuar se po e dëmton për herë të dytë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa ka bërë me dije se nuk do ta votonte atë për një mandat tjetër presidencial.

Musliu tha se Osmani ka qëndruar e heshtur përballë zhvillimeve politike derisa, sipas saj, Kurti nuk e propozoi për presidente.

Ajo deklaroi se Osmani kishte dëmtuar LDK-në në zgjedhjet e vitit 2021 dhe se po e bën të njëjtën gjë edhe tani si bartëse e listës zgjedhore.

“Loja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit janë lojëra të rrezikshme, se ne jemi fokusuar duke folur vetëm për Albin Kurtin. Po as pak më e mirë nuk është Vjosa Osmani, e cila ka heshtur derisa ia kanë lëkundur karrigen e saj. Domethënë derisa ajo e kishte të premtuar edhe për një mandat pozitën e presidentes, çdo gjë shkoi vaj… Qëndrimi im për Vjosa Osmanin në këtë pozicion ku është, e shoh të padukshme, ama ajo ka pakënaqësi të brenda partisë ose subjektit politik me të cilin garon. Sepse Vjosa Osmani për të dytën herë po e shkatërron Lidhjen Demokratike të Kosovës. E shkatërroi vitin 2021 më 14 shkurt, dhe shkatërrimin e dytë edhe përfundimtar po e bën tash. Domethënë duke u futur në Lidhjen Demokratike, duke pozicionuar në 10-she krejt njerëzit e saj, të cilët i ka ricikluar në të gjitha partitë politike dhe i ka futur në 10-she, dhe pastaj duke i luftuar edhe duke i spostuar figurat të cilat, edhe atëherë kur Vjosa Osmani e shkelmoi Lidhjen Demokratike, ata qëndruan në ballë të Lidhjes Demokratike dhe qëndruan stoikisht. Ndërsa sa i përket Vjosa Osmanit për presidente, nëse ajo do të jetë në garë, unë publikisht e them që nuk do ta ketë votën time”, shtoi Musliu.

Duke e folur për karahasimet mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, Musliu tha se bëhet fjalë për “një dallim të jashtëzakonshëm”.

Sipas saj, Thaçi do të kujtohet për rolin e tij historik, ndërsa Kurti për përçarjet dhe tensionet politike.

“Dallimi pastaj mes Albin Kurtit edhe Hashim Thaçit të them të drejtën është një dallim i jashtëzakonshëm sepse Hashimit i shkon historia mbrapa, Albinit i shkon përçarja mbrapa. I shkon shkatërrimi përpara, i shkon dhuna mbrapa. Dhe ky është dallimi i madh. Domethënë e keni një lider që ka bërë histori dhe e keni një lider tjetër që me çdo kusht edhe në mënyrë të dhunshme tenton me hy në histori, qoftë edhe duke e shkatërruar vendin. Dëgjoni, krejt diktatorët e botës kanë qenë oratorë. Po ju e dini si kanë përfunduar fatet e atyre shteteve që i kanë udhëhequr, po edhe vetë ata”, deklaroi ajo.

Musliu komentoi edhe raportet brenda PDK-së, përfshirë spekulimet për ndarje mes grupeve të ndryshme në parti. Ajo mohoi ekzistimin e përçarjeve, duke thënë se në PDK ka debate dhe mendime të ndryshme, por jo klane apo fraksione.

“Unë asnjëherë nuk kam parë brenda Partisë Demokratike thyerje që me u quajt klika, ose klane, ose krahë ose gjëra të tilla. Mendime pro edhe kundër ka, të gjithë gjithkund ka me pas. Ne jemi Parti Demokratike. Ditën kur unë nuk ndihem e lirshme që në tavolinën e kryesisë, ku mbahen mbledhjet, ose në sallat ku mbahen mbledhjet e kryesisë, ditën kur Ganimete Musliu nuk ndihet e lirshme me e thënë mendimin, me e kritiku edhe kryetarin e partisë po edhe anëtarët e tjerë për ndonjë vendim të caktuar, unë nuk do të jem pjesë e Partisë Demokratike. Ajo nuk do ta ketë emrin Partia Demokratike. Prandaj e them me bindje të plotë që nuk ka përçarje në Partinë Demokratike të Kosovës. Jemi më të unifikuar se asnjëherë më parë, në të gjitha nivelet, që nga nëndega, dega e deri në qendër, dhe e ka mbështetjen Bedri Hamza të plotë”, theksoi kandidatja për deputete e PDK-së.

Sa i përket rolit të Fatmir Limajt dhe mundësisë së përfshirjes së tij në strukturat e partisë, Musliu tha se PDK-ja mbetet e hapur për të gjithë qytetarët që duan të japin kontributin e tyre politik përmes partisë, duke theksuar se pas përfundimit të procesit zgjedhor parlamentar do të vazhdojnë edhe proceset e brendshme partiake.

“Kur unë dhe gjenerata ime kemi hy në politikë, kemi hy në Partinë Demokratike të Kosovës si të rinj, për shkak të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt dhe shumë djemve dhe vajzave të cilët erdhën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dhe për atë gjeneratë, këta kanë me mbetur figurat ikonike, deshëm nuk deshëm ne, ose deshi s’deshi dikush. Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes në fushatë dhe mospërfshirjes në listë, unë besoj që kjo është sqaruar mjaftueshëm dhe s’ka më interes as qytetari. Ne i kemi zgjedhjet e brendshme, i kemi të hapura. Për shkak të procesit zgjedhor parlamentar është dashur me u stopu. Por zgjedhjet për Partinë Demokratike, zgjedhjet e brendshme janë të hapura. Në momentin që përfundon gara elektorale për zgjedhjet parlamentare, me automatizëm ne futemi në një fushatë tjetër që është për zgjedhjet e brendshme. Çdo qytetar i Republikës së Kosovës që e sheh që përmes Partisë Demokratike mundet me i dhënë kontribut Kosovës, është i mirëseardhur në Partinë Demokratike të Kosovës, duke filluar nga nëndegat, degët e deri në nivelin qendror”, përfundoi Musliu.