Rama reagon pas protestës për Zvërnecin: Mblidhuni, ulemi dhe flasim publikisht

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas protestave dhe kritikave të aktivistëve lidhur me projektin e investimit në Zvërnec, duke i ftuar ata në një bashkëbisedim publik për të diskutuar mbi çështjet që kanë ngritur. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama iu drejtua protestuesve me tone ironike, por edhe me një…

Lajme

02/06/2026 15:57

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas protestave dhe kritikave të aktivistëve lidhur me projektin e investimit në Zvërnec, duke i ftuar ata në një bashkëbisedim publik për të diskutuar mbi çështjet që kanë ngritur.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama iu drejtua protestuesve me tone ironike, por edhe me një ftesë të hapur për dialog.

Ai u shpreh se i vlerëson të rinjtë që angazhohen në debatet publike, duke theksuar se ata janë “më të freskët” se kundërshtarët politikë që, sipas tij, e kanë kundërshtuar prej vitesh.

“Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua. Por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për ‘Shqipërinë e Shqiptarëve’, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë tha se është i gatshëm të diskutojë për çdo shqetësim që lidhet me Zvërnecin, duke përfshirë çështje si pronat, investimet e huaja, transparenca, mbrojtja e natyrës dhe ndikimi i projekteve në mjedis.

“Gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat apo për çdo çështje tjetër me interes publik”, vijon ai.

Rama i ftoi aktivistët të zgjedhin deri në 20 përfaqësues dhe të zhvillojnë një takim publik në vendin dhe kohën që ata do të përcaktojnë.

“Po që kjo të mos mbetet thjesht një ‘larje goje’, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni”, theksoi kryeministri.

Në fund të reagimit të tij, Rama nënvizoi se nëse aktivistët nuk pranojnë ftesën për dialog, secila palë do të vazhdojë rrugën e saj, duke shtuar se ai do të vazhdojë punën në krye të qeverisë “me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.