Hoti kritikon menaxhimin e sektorit të energjisë: Qytetarët po paguajnë çmimin e keqmenaxhimit

Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me zhvillimet në sektorin e energjisë, duke vlerësuar se keqmenaxhimi dhe mungesa e transparencës kanë dëmtuar qytetarët dhe ekonominë e Kosovës. Hoti ka përmendur vendimin e Inspektoratit Qendror të Tregut për gjobitjen e KEDS për pasaktësi në njehsorët e energjisë elektrike, duke kërkuar kontroll të…

Lajme

02/06/2026 10:53

Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me zhvillimet në sektorin e energjisë, duke vlerësuar se keqmenaxhimi dhe mungesa e transparencës kanë dëmtuar qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.

Hoti ka përmendur vendimin e Inspektoratit Qendror të Tregut për gjobitjen e KEDS për pasaktësi në njehsorët e energjisë elektrike, duke kërkuar kontroll të plotë të matësve ose të paktën të një mostre përfaqësuese në secilën komunë, raporton lajmi.net

Ai ka kritikuar gjithashtu rritjen e vazhdueshme të tarifave të energjisë elektrike, duke thënë se këmbëngulja e ZRRE për shtrenjtimin e energjisë dhe heshtja e qeverisë kanë qenë të pajustifikueshme.

Postimi i plotë:

Energjia – sektori ku abuzimi dhe keqmenaxhimi kanë dëmtuar qytetarët dhe ekonominë
1. Së fundmi, Inspektorati Qendror i Tregut ka gjobitur KEDS-in për pasaktësi në njehsorët e energjisë elektrike dhe e ka obliguar të kompensojë konsumatorët e dëmtuar. Ky është vetëm hapi i parë. Nevojitet një kontroll i plotë i njehsorëve, ose të paktën i një mostre përfaqësuese në secilën komunë. Bazuar në gjetjet e këtij procesi, institucionet duhet të ndërmarrin pa vonesë të gjitha masat e parapara me ligj.
2. Gjatë viteve të fundit, faturat e energjisë elektrike janë rritur disa herë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të publikut për argumente dhe transparencë lidhur me këto vendime. Këmbëngulja e ZRRE-së për rritjen e tarifave dhe heshtja e Qeverisë përballë tyre kanë qenë të pajustifikueshme. Debatet publike janë zhvilluar më shumë për të përmbushur procedurat formale sesa për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, ndërsa rezolutat e paraqitura në Kuvend kanë mbetur pa përgjigje.
3. Një tjetër gabim strategjik ishte anulimi i projektit të gazit amerikan dhe i projektit “Kosova e Re”. Këto vendime kanë pasur pasoja afatgjata për sigurinë energjetike të vendit. Projekti “Kosova e Re” do të siguronte furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike me një kosto të parashikueshme prej rreth 80 eurosh për megavat, ndërsa projekti i gazit do të mundësonte balancimin e sistemit energjetik dhe furnizim të sigurt me gaz nga partneri strategjik i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
4. Ndërkohë, në KEK kanë nisur hetime për dyshime mbi abuzime të mëdha në kontratat e energjisë, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën e menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje publike.
5. Po ashtu, ZRRE-ja i ka nxjerrë bizneset e mëdha në tregun e hapur të energjisë në një kohë kur ky treg, në praktikë, nuk funksionon si treg konkurrues për shkak të numrit shumë të kufizuar të furnizuesve. Si pasojë, bizneset po përballen me kosto dukshëm më të larta të energjisë elektrike, duke humbur konkurrueshmërinë në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.
6. Një problem tjetër i vazhdueshëm është trajtimi i humbjeve në rrjet. Në vend që të kërkojë dhe të imponojë investimet e nevojshme për uljen e humbjeve teknike dhe komerciale, ZRRE-ja ka lejuar që një pjesë e konsiderueshme e këtyre kostove t’u bartet drejtpërdrejt konsumatorëve përmes faturave. Për rrjedhojë, ulja e humbjeve ka qenë minimale, ndërsa qytetarët vazhdojnë të paguajnë çdo vit për mungesën e investimeve dhe joefikasitetin e kompanive energjetike.
Kjo çështje nuk përfundon këtu. Në qeverinë e ardhshme duhet të ndërmerren masa të qarta dhe të menjëhershme:
• Të rifillohen pa vonesë projektet strategjike energjetike që janë anuluar;
• Të ngrihen tarifat aktuale të energjisë elektrike dhe të ndalet çdo rritje e mëtejshme derisa të ketë transparencë të plotë mbi kostot;
• Të obligohen kompanitë energjetike të realizojnë investimet e domosdoshme për modernizimin e rrjetit dhe uljen e humbjeve në nivelin e standardeve evropiane;
• Të forcohet mbikëqyrja institucionale dhe llogaridhënia në të gjithë sektorin energjetik.
Qytetarët nuk duhet të vazhdojnë të paguajnë çmimin e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe vendimeve të gabuara që kanë dëmtuar sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Energjia duhet të jetë motor i zhvillimit, jo barrë për familjet dhe bizneset./Lajmi.net/