Ebola lajmërohet në Itali, autoritet thirrje për kujdes

Dy persona në rajonin e Lombardisë në Itali janë vënë nën hetim nga autoritetet shëndetësore pasi dyshohet se mund të jenë infektuar me virusin Ebola, pas kthimit të tyre nga Uganda, ku kishin qëndruar për rreth tre muaj në kuadër të punës humanitare. Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për një grua 30-vjeçare dhe një burrë…

Bota

25/05/2026 19:44

Dy persona në rajonin e Lombardisë në Itali janë vënë nën hetim nga autoritetet shëndetësore pasi dyshohet se mund të jenë infektuar me virusin Ebola, pas kthimit të tyre nga Uganda, ku kishin qëndruar për rreth tre muaj në kuadër të punës humanitare.

Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për një grua 30-vjeçare dhe një burrë 31-vjeçar, të cilët pas kthimit në Itali kanë shfaqur simptoma shqetësuese si temperaturë e lartë, të vjella dhe probleme gastrointestinale.

Për shkak të simptomave dhe historikut të udhëtimit, të dy janë transportuar në Spitalin Sacco në Milano, një nga qendrat më të specializuara në Itali për trajtimin e sëmundjeve infektive dhe rasteve me rrezik të lartë biologjik.

Autoritetet shëndetësore italiane kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se bëhet fjalë për Ebola.

Sipas tyre, dyshimet paraprake janë më shumë të lidhura me mundësinë e infektimit me malarie, sëmundje e cila është e përhapur në disa rajone të Afrikës.

Megjithatë, për arsye sigurie dhe protokollesh mjekësore, dy rastet po monitorohen nga afër dhe po kryhen analiza të detajuara laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të simptomave.

Ndërkohë, pesë familjarë të personave të dyshuar janë vendosur nën mbikëqyrje shëndetësore, për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm deri në daljen e rezultateve përfundimtare.

Ministria e Shëndetësisë në Itali ka reaguar lidhur me rastin, duke theksuar se aktualisht rreziku për përhapjen e Ebola-s në vend mbetet shumë i ulët.