KQZ shpërndan rreth 50 mijë pako me fletëvotime për diasporën në ditën e parë të votimit me postë

Mbi 2 milionë qytetarë kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ndërsa Lista e Votuesve është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth 17 mijë votues janë të rinj, pasi pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit e kanë mbushur moshën 18-vjeçare. Ndërkaq, procesi i votimit të mërgatës përmes postës ka hyrë…

Lajme

22/05/2026 21:38

Mbi 2 milionë qytetarë kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ndërsa Lista e Votuesve është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth 17 mijë votues janë të rinj, pasi pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit e kanë mbushur moshën 18-vjeçare. Ndërkaq, procesi i votimit të mërgatës përmes postës ka hyrë në ditën e dytë, ndërsa rreth 105 mijë pako zgjedhore janë dërguar në diasporë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën e votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit. 2 milionë e 92 mijë e 174 qytetarë do të kenë drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Lista e votueseve u certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten, ndërsa aty 15 mijë e 884 votues do të jenë më shumë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Numri i atyre që do të mund të votojnë për herë të parë është 22 mijë e 685, rreth 17 mijë prej të cilëve konsiderohen të rinj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit kanë arritur moshën 18 vjeçe.

Ndërsa, tashmë ka nisur procesi i votimit përmes postës nga mërgata kosovare, ku janë dërguar rreth 105 mijë pako zgjedhore.

“Më datë 21 maj ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit që janë regjistruar për të votuar përmes postës. Para fillimit të këtij procesi, KQZ përmes operatorit ekonomik ka dërguar jashtë Kosovës rreth 105 mijë pako individuale për secilin votues të regjistruar për të votuar përmes postës. Në bazë të të dhënave që kemi, vetëm gjatë ditës së parë të votimit përmes postës, KQZ ka arritur të shpërndajë rreth 50 mijë pako individuale të cilat përmbajnë udhëzues se si plotësohet fletëvotimi dhe natyrisht edhe fletëvotimin”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Gjithsej nga diaspora janë pranuar mbi 142 mijë e 800 kërkesa për votim, megjithëse jo të gjitha janë aprovuar, raporton rtk.

Për zgjedhjet e 7 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar mbi 132 mijë kërkesa për votim. Rreth 10 mijë e 500 kërkesa janë refuzuar. Arsyet për këtë janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e dëshmisë për adresën e banimit, e deri tek mungesa e fotografisë me dokument identifikues të Kosovës në duar.

Sipas Valmir Elezit të KQZ-së, pjesa më e madhe e votuesve nga diaspora, kanë kërkuar të votojnë me postë.

Për dallim nga dy palë zgjedhjet e kaluara, në këto të 7 qershorit numri i votuesve të regjistruar nga diaspora është më i madh. Në zgjedhjet e 9 shkurtit të 2025-s ishin aprovuar 104 mijë e 924 kërkesa për votim, ndërsa në ato të 28 dhjetorit, 77 mijë e 86. Procesi zgjedhor në Kosovë sipas KQZ-së do të zhvillohet në 949 qendra të votimit.