Ish-zëvendësministri Hoxha për xhandarmërinë e Kosovës: Duhet kujdes me emrin dhe kompetencat e kësaj force

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka komentuar idenë për themelimin e xhandarmërisë së Kosovës, duke theksuar se krijimi i një mekanizmi të ri të sigurisë mund të jetë i nevojshëm, por duhet trajtuar me kujdes të madh. Sipas Hoxhës, përveç kompetencave, rëndësi të veçantë ka edhe simbolika dhe emërtimi i kësaj force, duke…

Lajme

21/05/2026 09:09

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka komentuar idenë për themelimin e xhandarmërisë së Kosovës, duke theksuar se krijimi i një mekanizmi të ri të sigurisë mund të jetë i nevojshëm, por duhet trajtuar me kujdes të madh.

Sipas Hoxhës, përveç kompetencave, rëndësi të veçantë ka edhe simbolika dhe emërtimi i kësaj force, duke pasur parasysh historikun e popullit të Kosovës.

“Parimisht mund të jetë e nevojshme krijimi i një formacioni të ri i një mekanizmi të sigurisë, pavarësisht emrit. Duhet të jemi të kujdesshëm edhe në simbolika edhe pse kompetencat janë ato që e bëjnë të qëndrueshëm atë”, deklaroi ai për Frontonline.

Hoxha tha se duhet shmangur përdorimi i emrave që mund të ngjallin frikë te qytetarët, ndërsa fokusi, sipas tij, duhet të vendoset tek funksionaliteti dhe kompetencat e strukturës së re.

“Duke pasur historikun e popullit tonë, do të duhej kujdes edhe tek emërtimi i kësaj force, sepse duhet t’i ikim emrave që ngjallin frikë tek qytetarët dhe të përkushtohemi më shumë tek kompetencat e kësaj strukture”, u shpreh Hoxha.

Ai potencoi gjithashtu se duhet të shfrytëzohen kapacitetet ekzistuese brenda Policisë së Kosovës dhe FSK-së, duke kërkuar planifikim të mirëfilltë dhe jo vendime të ngutshme.

“Duhet një planifikim në kohë të duhur sepse ngutia nuk është aleat i kualitetit”, tha ish-zëvendësministri

Në fund, Hoxha ngriti dilema edhe për kohën kur po diskutohet kjo çështje, duke thënë se po krijohet perceptimi se temat më të rëndësishme po shtyhen për trajtim pikërisht në këtë periudhë.

‘’ Koha kur po iniciohet dhe po besoj se me të drejtë po krijohet perceptimi se edhe çështjet më të rëndësishme po bëhen në këtë kohë’’, tha ai.