Qeveria me komunikatë për takimin Kurti-Kos: Bosnja ende nuk ka hequr vizat për Kosovën, ndërsa Serbia po bllokon marrëveshjen për njohjen e diplomave

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në kuadër të vizitës së saj të parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e mandatit. Gjatë takimit, Kurti e falënderoi Komisioneren Kos për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën, duke theksuar…

Lajme

15/05/2026 15:48

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në kuadër të vizitës së saj të parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e mandatit.

Gjatë takimit, Kurti e falënderoi Komisioneren Kos për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën, duke theksuar se orientimi evropian i vendit është i qartë, i qëndrueshëm dhe i mbështetur nga rreth 90 për qind e qytetarëve, transmeton lajmi.net.

Kryeministri në detyrë prezantoi progresin e Kosovës në vitet e fundit, duke përfshirë përparime të dukshme në luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe sundimin e ligjit.

Ai vuri në dukje gjithashtu rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit dhe përputhshmërinë e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe përfshirjen në sanksionet kundër Rusisë.

Kurti foli edhe për Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave, duke nënvizuar se miratimi i marrëveshjeve dhe instrumenteve për zbatim ka mundësuar marrjen e para-financimit prej 61.8 milionë euro, megjithëse mungesa e kuvendit funksional ka shkaktuar vonesa në disa reforma.

“Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat dhe t’i hapë negociatat për anëtarësim. Nuk kërkojmë rrugë të shkurtër apo dyer të pasme, vetëm një proces meritor dhe trajtim të barabartë,” tha Kurti, duke shtuar se uniteti brenda BE-së është thelbësor për vendimmarrje ndaj Kosovës.

Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, kryeministri në detyrë theksoi rëndësinë e fqinjësisë së mirë, duke kujtuar sulmet terroriste të viteve të fundit nga fqinjësia veriore dhe sfidat me vizat dhe njohjen e diplomave nga disa vende të rajonit.

Në përfundim, Kurti e falënderoi Komisioneren Kos për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar rolin e tij si partner strategjik dhe donator kryesor i Kosovës, me mbi 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999.

Komunikata e plotë:
Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos
Prishtinë, 15 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në kuadër të vizitës së saj të parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e mandatit.
Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi Komisioneren Kos për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën. Ai theksoi se orientimi evropian i vendit është i qartë, i qëndrueshëm dhe i mbështetur fuqishëm nga qytetarët me rreth 90 për qind përkrahje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate.
Kryeministri në detyrë ndau me Komisioneren Kos progresin e arritur nga Kosova në vitet e fundit: në gjashtë vitet e fundit Kosova ka avancuar 28 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit dhe 15 pozita këtë vit në Indeksin e Lirisë së Mediave. Kosova renditet e treta në mesin e 15 shteteve të Evropës Juglindore dhe e dyta në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për avancim në sundimin e ligjit. Ekonomia ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe është ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në rajon.
Jemi plotësisht të linjëzuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian; kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë në termat më të ashpër; kemi ofruar mbështetje ushtarake dhe humanitare si dhe i jemi bashkuar të gjitha sanksioneve kundër Federatës Ruse, tha kryeministri në detyrë.
Ai foli edhe për Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave ku theksoi miratimin me sukses në kuvend të marrëveshjeve dhe instrumentit të zbatimin. Këto mundësuan marrjen e para-financimit në vlerë prej 61.8 milionë euro por vuri në dukje se mungesa e kuvendit funksional ka shkaktuar vonesa në disa reforma, duke rrezikuar afatin e qershorit, dhe se institucionet po punojnë maksimalisht për të minimizuar këtë ndikim.
Pasi theksoi progresin e bërë në vitet e fundit në avancim në kapitujt e reformave, kryeministri në detyrë theksoi që Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat dhe t’i hapë negociatat për anëtarësim.
Kanë kaluar mbi 40 muaj që nga aplikimi i Kosovës dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit nga ana e BE-së duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës, tha kryeministri në detyrë, duke shtuar se Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtër e as derë të pasme, vetëm një proces meritor dhe trajtim të barabartë. Gjetja e unitetit brenda BE-së për të marrë vendime ndaj Kosovës është detyrë e përbashkët e institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare.
Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se çelësi i bashkëpunimit është fqinjësia e mirë. Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tre vitet e fundit, në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe në Kanalin Ibër-Lepenc më 29 nëntor 2024, që të dyja nga fqinji verior. Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore.
Megjithatë Kosova është pro-aktive: ka kryesuar me sukses CEFTA-n vitin që shkoi dhe ka nënshkruar pesë marrëveshje në Procesin e Berlinit. Kryeministri në detyrë gjithashtu kujtoi që Bosnja ende nuk ka hequr vizat për Kosovën, ndërsa Serbia po bllokon marrëveshjen për njohjen e diplomave, e cila është në përputhje të plotë me direktivat e BE-së.
Në fund, kryeministri në detyrë e falënderoi Komisioneren Kos duke thënë që Bashkimi Evropian është partner strategjik dhe donatori më i madh i Kosovës me mbi 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999./lajmi.net/