Abdixhiku e jep edhe vendin e parë në listë për Osmanin: Për mua kjo nuk ka fare rëndësi, por ajo është kandidate e duhur për Presidente

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur sot pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së në lidhje me zgjedhjet e ardhshme. Ai e ka konfirmuar se LDK është pajtuar që të garojnë në një listë të përbashkët me Osmanin, ndërkaq ka thënë se gjatë takimeve me të Osmani nuk e ka pasur asnjë kusht. “Pra, nuk…

Lajme

05/05/2026 18:47

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur sot pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.

Ai e ka konfirmuar se LDK është pajtuar që të garojnë në një listë të përbashkët me Osmanin, ndërkaq ka thënë se gjatë takimeve me të Osmani nuk e ka pasur asnjë kusht.

“Pra, nuk është relacion kushtëzimesh, është relacion i kuptimit të nevojës së përbashkimit të të gjithëve rreth LDK-së, dhe ky përbashkim nënkupton që ne ndërtojmë relacione mbi mirëbesim.  Përderisa kemi mirëbesim dhe relacion të përbashkët, nuk flitet për kushte sepse s’po flasim për relacione kushtëzuese ndaj njëri-tjetrit.  Këto raportime kanë qenë të pasakta”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se ende nuk e kanë konfirmuar nëse të njëjtën e don edhe LDK por se janë në bisedime.

Ai është pyetur nga gazetarët nëse do t’i jepte vendin e parë në listë Vjosa Osmanit, për çka ka thënë se kjo nuk ka fare rëndësi për të.

“Pa asnjë problem, kjo çështje s’është për mua. Besoj që Vjosa Osmani duhet të jetë kandidatja e duhur për Presidente dhe jam i gatshëm që bashkë me LDK-në t’a mundësojmë një kandidaturë të tillë. Rënditja në listë për mua nuk ka fare rëndësi”, ka thënë Abdixhiku. /Lajmi.net/