Opozita bëhet bashkë: LDK, PDK dhe AAK i përgjigjen thirrjes së Albulena Haxhiu për zgjedhjet
Tri partitë më të mëdha opozitare në vend, LDK, PDK dhe AAK, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ të thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja. Takimi do të mbahet të enjten, më 30 prill, në orën 15:00 në Kuvendin e Kosovës. Për Lidhjen Demokratike…
Lajme
Tri partitë më të mëdha opozitare në vend, LDK, PDK dhe AAK, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ të thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
Takimi do të mbahet të enjten, më 30 prill, në orën 15:00 në Kuvendin e Kosovës.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, pjesëmarrjen e ka konfirmuar zëdhënësi Besian Mustafa, i cili bëri të ditur se partia do të përfaqësohet nga Jehona Lushaku.
“Po nesër në ora 15:00 në Kuvend. Nga LDK do të marrë pjesë Jehona Lushaku”, ka thënë Mustafa për lajmi.net.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, nënkryetarja Vlora Çitaku ka konfirmuar për Lajmi.net se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës dhe do të marrin pjesë në takim.
“Po kemi marrë ftesë dhe marrim pjesë. Takimi mbahet nesër në orën 15:00”, ka thënë Çitaku.
Ndërkohë, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen përmes zëdhënësit Kushtrim Xhemaili, duke bërë të ditur se në takim do të përfaqësohen nga Ardian Gjini.
“Po, kemi marrë ftesë nga Albulena Haxhiu për takim të përbashkët të partive politike lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në takim dhe do të përfaqësohet nga Ardian Gjini”, ka thënë Xhemaili për lajmi.net.
Ky takim konsiderohet si hap i rëndësishëm drejt përcaktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme, pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe, Albulena Haxhiu, priti sot në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, me të cilin diskutoi për hapat institucionalë drejt shpalljes së zgjedhjeve të reja.
Haxhiu vlerësoi rolin e KQZ-së në garantimin e një procesi të rregullt, të besueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar vazhdimisht pjekuri demokratike dhe besim në zgjedhje.
Gjatë takimit u diskutua për afatet ligjore, përgatitjet administrative dhe koordinimin ndërinstitucional, me theks të veçantë në nevojën që procesi zgjedhor të zhvillohet pa vonesa dhe me standarde të larta profesionale./Lajmi.net/