Çmimet në bujqësi në rritje, ASK: Prodhimet bimore dhe blegtorale më të shtrenjta krahasuar me vitin e kaluar

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e parë (TM1) të vitit 2026, duke treguar rritje të përgjithshme të çmimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka shënuar…

Lajme

29/04/2026 12:42

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e parë (TM1) të vitit 2026, duke treguar rritje të përgjithshme të çmimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka shënuar rritje prej 5.8% në TM1 2026, krahasuar me TM1 2025.

Rritje është evidentuar edhe në kategoritë kryesore të prodhimeve. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore është rritur për 7.0%, ndërsa ai i prodhimeve blegtorale ka shënuar rritje prej 4.9% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Të dhënat janë mbledhur nga terreni, përfshirë tregjet, fermat dhe pika të tjera ku realizohet shitja e produkteve bujqësore në vend.

ASK sqaron se prodhimet bujqësore ndahen në dy grupe kryesore: prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore përfshihen drithërat, bimët foragjere, perimet, patatet dhe pemët.

Ndërkohë, në sektorin blegtoral, çmimet janë grumbulluar për kategori të ndryshme të kafshëve si gjedhe, dele, derra dhe pula, duke u bazuar në peshën e gjallë. Po ashtu, janë përfshirë edhe produktet blegtorale si qumështi, vezët dhe mjalti.

Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro, ndërsa njësitë matëse janë në kilogram, litër dhe copë. /Lajmi.net/