Në seancën përkujtimore të mbajtur në Kuvendin e Kosovës për ish-kongresmenin amerikan Eliot Engel, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka vlerësuar lart kontributin e tij për Kosovën, duke e cilësuar si një zë të fuqishëm në periudhat më të ndjeshme të historisë së vendit.
Ajo tha se Engel, ndonëse nuk kishte lidhje personale me Kosovën, ishte thellësisht i angazhuar në mbështetje të kauzës së saj, transmeton lajmi.net.
“Ai nuk kishte lidhje gjaku, nuk kishte lindur në Prishtinë, Pejë apo Gjakovë, por zemra e tij rrihte në sinkron me dhimbjet e nënave tona, me nxënësit që mësonin shqip në shtëpi private dhe me ushtarët tanë çlirimtarë. Engel ishte një mbështetës i palëkundur. Ai fliste për një popull të vogël në Ballkan që po shtypej dhe trokiste në çdo derë për të thënë se Kosova duhej të ishte e lirë”, tha Lushaku-Sadriu.
Deputetja e LDK-së veçoi gjithashtu raportin e ngushtë të Engel me presidentin historik Ibrahim Rugova, duke theksuar se mes tyre kishte një lidhje të bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë.
“Engel kishte marrëdhënie të veçantë me presidentin Ibrahim Rugova, me të cilin ndante besimin dhe respektin për vizionin e përbashkët për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Në atë miqësi mishërohej një aleancë e sinqertë, e ndërtuar mbi vlera shtetformuese”, u shpreh ajo./lajmi.net/